4 Qershor 2014 – Z. Veliaj Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë këtë të mërkurë pati një takim, me durrsakë, gazetarë e vartës të tij lokalë, në sheshin pranë Monumentit të Rezistencës. Në takim Zoti Veliaj informoi publikun mbi disa risi në shpërndarjen e ndihmës ekonomike.

Shpërndarja e ndihmës ekonomike dhe përcaktimi i personave që marrin këtë ndihmë do të bëhet në mënyrë të dixhitalizuar. Personi, që aplikon për ndihmë do të verifikohet on line, nëse ka pasuri të patundshme, nëse zotëron makinë private, nëse del shpesh jashtë shtetit, nëse ka biznes të rregjistruar në emër të tij etj. Thelbi i këtij “Big Brother-i” alla Xhorxh Oruell është të ndëshkohen hileqarët, dhe ndihma ekonomike tu shkojë nevojtarëve. Gjatë gjithë kohës Ministri e vuri theksin te puna dhe jo te  lëmosha, që jep shteti. Në këtë koteks ai thekso rolin e shkëlqyer, që luan zonja Kospiri, zëvëndësja e tij, që ndonëse parapelgjike është shembull i përkushtimit në punë në ministri.  Ministri informoi publikun edhe për një masë të re të Qeverisë Rama. Ato familje, që marrin ndihmë ekonomike dhe i dërgojnë fëmijët në shkollë  e i vaksinojnë ata do të marrin ndihmë ekonomike shtesë.Ai theksoi se një VKM e re e qeverisë e bën të detyrueshme, që ndihmën ekonomike ta tërheqin gratë jo burrat. Ky është një diskriminim pozitiv i grave, që ul dhunën në familje, sepse gratë paratë e ndihmës ekonomike tentojnë t’i harxhojnë te ushqimorja e lagjes,ndërsa burrat i harxhojnë për Telebingo dhe lloto sport. Ministri theksoi se ata hileqarë, që nuk pranojnë të punojnë, kur u ofrohet një vend pune automatikisht do të hiqen nga skema e përkrahjes sociale. Këtë deklaratë e ilustroi me thënien se jeta nuk është “ Portokalli “, kur personazhi më pak se 30 vjec, punën e parë,që kërkoi ishte të bëhej drejtor.

Korespondenti i Durrës Lajme në këtë kontekst e pyeti ministrin, se zonjusha Spiropali aktualisht drejtore e përgjithshme e doganave a është më shumë  apo më pak se 30 vjec dhe cila është puna, që ka kryer më parë zonjusha në fjalë. Ministri Veliaj u përgjegj, që ajo është nën 30 vjec, nuk ka kryer asnjë punë në kuptimin e një vendi pune, por për gati 10 vjet është person i shquar publik, që i ka dhënë shumë Shqipërisë me punën e saj në shërbim të publikut. Pyetjes së korrespondentit për të përndjekurin Kaziu nga Durrësi, që u përpoq të digjej i gjallë, sepse nuk ishte mirëpritur nga drejtori lokal i zyrës së punës.Ministri iu përgjigj se kishte dijeni personalisht. Shërbimi social madje sot i kishte dërguar  ndihma ushqimore në banesë. Drejtori lokal i zyrës së punës e kishte takuar, i kishte ofruar punë Kaziut, por ai e kishte refuzuar punën. Ministri qortoi indirekt të përndjekurin Kaziu dhe ato media, që i venë kamerën përpara, sepse sipas Ministrit është dinjitoze të punosh jo të presësh vetëm mëshirë nga shteti.