DURRËS, 4 qershor 2014 –  Jahti romantik me vela  Sea Cloud  vjen pas 9 muajsh në portin e Durrësit, tani me 115 turistë elitarë dhe se prekja e një porti nga  Sea Cloud-i konsiderohet kudo në botë si ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për faktin se është tepër luksoz, por edhe për “biografinë” 83-vjeçare.

Mësohet se të enjten, më 5 qershor 2014, rreth orës 8:30, në portin e Durrësit do të  bregëzohet jahti luksoz me 29 vela  Sea Cloud, pasi ka qëndruar në Sarandë më 4 qershor 2014.

Anija turistike ka në bord 115 persona, 50 prej të cilëve janë amerikanë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Kanadaja, Gjermania, Meksika dhe Singapori.

Turistët do të vizitojnë Durrësin, Krujën dhe Tiranën.

Në orën 16:00 është parashikuar që  Sea Cloud  të largohet nga Durrësi në drejtim të Kotorit në Malin e Zi.

Anija turistike do të qëndrojë deri rreth orës 16:00 të së enjtes, më pas do të udhëtojë për në Dubrovnik të Kroacisë (shih hartën e itinerarit).

Para 9 muajsh, më 4 shtator 2013 paradite, jahti luksoz Sea Cloud, pronë e kompanisë detare  Sea Cloud CruiSeS GmbH,  Hamburg, Gjermani ka vizituar portin e Durrësit (në foton poshtë).

Info

Sea Cloud  u ndërtua në Kiel, Gjermani si një anije për kompaninë amerikane për EF Hutton & Co.

U përurua në vitin 1931, me emrin  Hussar II; në kohën e ndërtimit, ishte jahti më i madh privat në botë.

Në vitin 1935 ambasadori amerikan në Moskë Xhozef Dejvis (Joseph E. Davies) bleu anijen dhe i vuri emrin  Sea Cloud.

Si një njeri me ndikim politik, Davies argëtonte shumë njerëz të profilit të lartë në anije, duke përfshirë Mbretëreshën Elisabeta të Belgjikës.

Madje ka shërbyer si “ambasadë”, pasi zyrtarë sovjetikë dhe amerikanë qëndronin dhe takoheshin në anije.

Ambasadori ia ofroi me qira ministrisë amerikane të Marinës në vitin 1941, por nuk u pranua nga flota ushtarake.

Presidenti Ruzvelt (Roosevelt) nuk ishte dakord që të hynte në shërbim të ushtarak, duke theksuar se ishte një anije shumë e bukur për t’u sakrifikuar.

Megjithatë, më 7 janar 1942, marina rivlerësoi pozicionin, duke e përdorur si anije-stacion meteorologjik, duke i hequr katër direkët, lyer në gri si luftanije dhe armatosur.

Ka shërbyer edhe në Rojën Bregdetare gjatë viteve të Luftës II Botërore.

Është dekoruar për merita lufte.

Në vitin 1947 u kthye në shërbim civil, në vitin 1949 u pajis me një grup komplet të ri prej 29 velash.

U lye me ngjyrë bardhë, dhe në kiç u pikturua një shqiponjë ari.

Rikonstruksioni i anijes mori gati katër vjet.

Pronësia shkoi nga Dejvisi tek e shoqja pas divorcit, e cila vendosi të shesë anijen.

Rafael Truhiljo (Trujillo), diktatori gjakatar i Republikës Dominikane, bleu  Sea Cloud-in në vitin 1955, duke i vënë emrin e së bijës  Angelita.

Jahti shërbeu si banesë dhe zyrë qeveritare.

Pas vrasjes së Truhiljos më 20 maj 1961, familja e tij u përpoq për të largohej bashkë me kufomën në bordin e jahtit për në ishujt Kanarie, por u detyrua të kthehej nga qeveria e re.

Pesë vjet pas vdekjes së Truhiljos, anija, e quajtur tani  Patria, iu shit kompanisë  Operation Sea Cruises, që iu vuri emrin  Antarna.

Por në SHBA u bllokua nga autoritetet portuale pas një mosmarrëveshjeje.

Pronarët ëndërronin ta kthenin në “shkollë oqeanike”, por u bllokua për 8 vjet në Panama.

Një kompani nga Hamburgu e bleu edhe i vuri emrin e dikurshëm  Sea Cloud.

Pasi lundroi në Evropë, mbërriti në portin e Hamburgut më 15 nëntor, 1978. 

Sea Cloud-i për 8 muaj iu nënshtrua riparimeve në kantierin ku u ndërtua.

U ri-projektua për një kapacitet 64 udhëtarë dhe një ekuipazh prej 60 vetë.

Nisi lundrimin në vitin 1979.

U përshkrua nga guidat ndërkombëtare si “anija me vela më romantike në det”.

Në vitin 2011, iu nënshtrua një remonti tjetër.

Është anija turistike më e lakmuar në botë nga shoqëria e lartë amerikane.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/