4 qershor 2014 – Miqësorja me Hungarinë nuk është vetëm një test për kombëtaren shqiptare, por edhe për futbollistët e veçantë të cilët janë vënë në qendër të merkatos. Gianni De Biasi kërkon të perfeksionojë lojën e skuadrës dhe të ketë idetë e qarta për eliminatoret e Euro 2016, për futbollistët që do të bëjnë pjesë në ekipin e tij. Ndërkohë disa prej këtyre të fundit kanë rënë në grepat e klubeve të ndryshëm dhe ndaj Hungarisë vëmendja është edhe për ta në aspektin individual.
Miqësorja që do të luhet në orën 20:30 në stadium “Ferenc Puskas” të Budapestit është një vitrinë e mirë për disa lojtarë si Cikalleshi apo edhe Hysaj.
Sulmuesi kavajas pas një sezoni të mirë të zhvilluar me Kukësin ka kënaqur trajnerin De Biasi në debutimin e tij ndaj Rumanisë, pavarësisht emocioneve të shumta për ndeshjen e parë me fanellën kuqezi. Dhe ndaj Hungarisë në tribunë pritet të jenë disa menaxherë të ndryshëm që do të mbajnë shënime për lojën e 25-vjeçarit.
E njëjta situatë edhe për Elseid Hysaj, që pas një sezoni shumë të mirë me Empolin duhet të tregojë formën e tij edhe me kombëtaren. Serie A e pret mbrojtësin, por duhet parë nëse do të jetë me fanellën e Empolit apo do të ketë lëvizje në një tjetër klub, ku së fundmi në skenë del emri i Torinos. Gjithashtu një test i mirë pritet të jetë edhe për Currin, pas lojës pozitive të zhvilluar në miqësoren ndaj Rumanisë.
30-vjeçari për momentin është stabilizuar tek Sevastopoli, por nuk do të refuzonte një ofertë më të mirë. Gjithashtu vëmendja është edhe tek mesfushorët Ergys Kaçe dhe Shkëlzen Gashi, dy emra që prej kohësh qarkullojnë në merkato. Në tribunën e stadiumit “Ferenc Puskas” do të ketë vëzhgues specialë edhe për ta.
Pas stërvitjes së fundit para përballjes me hungarezët, trajneri De Biazi ka pohuar: “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe duke qenë miqësore nuk do të doja që të ndalesha tek rezultati. Ajo që duhet të kuptojmë është mënyra se si skuadra mund të shprehet dhe të gjejë ekuilibrin. Kjo nuk është shumë e thjeshtë sidomos nëse kemi parasysh këtu që disa lojtarë kyç për skuadrën tonë kanë munguar, ose mund të mungojnë në ndeshjet e ardhshme. Por, gjithsesi, ne duhet të punojmë të fokusuar dhe të bëjmë bilancin pas çdo ndeshjeje dhe të përmirësohemi pas çdo sfide.”





