Itali, 3 qershor 2014 – Janë arrestuar nga karabinierët italianë, dy nga tre shqiptarët e akuzuar për grabitjen e mëngjesit të 1 qershorit në një vilë në Salo, Itali. Sipas medieve italiane, grabitësit shqiptarë i kanë mbajtur për 2 orë peng me pistoletë tek koka çiftin italian.
Çifti (burri ishte ish-bankier) po kthehej në shtëpi në orën 5 të mëngjesit, pasi gruaja gjatë natës nuk ishte ndjerë mirë dhe kishte shkuar në urgjencë. Në momentin që po futeshin në shtëpi, ata janë sulmuar nga tre grabitësit e armatosur dhe me maska.
Nën kërcënimin e pistoletës ata kanë bindur çiftin t’u jepte gjithë paratë dhe bizhuteritë. Pasi nuk gjetën një kasafortë që kërkonin, ata morën burrin, e futën në një makinë dhe u drejtuan tek bankomati më i afërt për të tërhequr paratë.
Por automjeti u pikas nga karabinierët dhe në ato momente nisi ndjekja e grabitësve, njësoj si në filmat e Hollivudit. Hajdutët shqiptarë braktisën makinën dhe arritën t’u shmangeshin karabinierëve. Vetëm sot dy prej tyre u prangosën, ndërsa i treti vazhdon të jetë ende në kërkim.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





