Itali, 3 qershor 2014 – Ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini, thotë se shpreson që Shqipërisë do t’i jepet këtë muaj statusi i vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
”Integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një interes themelor jo vetëm i rajonit, por edhe i Bashkimit Evropian. Eshtë mënyra për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit, rritjes ekonomike dhe marrëdhënieve ekonomiko-tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që do të thotë edhe në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian”, – tha shefja e diplomacisë italiane.
Gjatë një takimi ministerial të Iniciativës së Evropës Qendrore, që po zhvillon punimet në Vjenë, Mogherini tha se Shqipëria ka ndërmarrë reforma dhe se Qeveria është e angazhuar edhe për kryerjen e reformave të tjera që do të sillnin përparimin e vendit.
”Një veprim i tillë do të përbënte një pranim nga ana jonë të reformave që ka bërë vendi si edhe të angazhimit politik të Qeverisë shqiptare për të ecur përpara me reforma shtesë, çka do të sillnin më shumë progres”,- deklaroi Mogherini.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





