Tiranë, 3 qershor 2014 – I pranishëm në konferencën “Sfida e zhvillimit ekonomik”, kryeministri Rama iu përgjigj interesimit të sallës, lidhur me marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat.
Lidhur me çështjen e statusit, Kryeministri Edi Rama bëri një paralelizëm të institucioneve të BE-së me një komision provimesh dhe më pas shtoi se, është drejtoria që do të vendosë se kur do ta shohë.
“Nëse Shqipëria do të merrte statusin në dhjetor do të kishte pasur më pak konflikt dhe shumë më tepër mundësi për të shkuar më përpara në rajon dhe mbi të gjitha, në fund të fundit nuk është se nëse nuk shkojmë në BE ne nuk jemi europianë. Ne jemi europianë sa janë gjermanët, danezët. Ata janë anëtarë të një Bashkimi ne nuk jemi anëtarë, por nuk na bën më pak të drejta për të thënë atë që mendojmë për Europën. Ne duhet vetëm të presim KE që nëpërmjet raport progresit të thotë fjalën e vet nëse ne i kemi qëndruar një për një detyrimeve tona. Në momentin kur ne do të kemi një konfirmim nëse do ta kemi ne kemi bërë detyrën tonë. Në kohë të tjera më të mira Europa nuk do të diskutonte sepse KE do të thotë që e kanë bërë detyrën. Është njësoj si një komision provimesh që thotë që këta e morën provimin dhe pastaj drejtoria thotë prit një minutë se do e shohim në vjeshtë se kemi halle të tjera. Se kështu jemi katandisur në këtë Europë, ku jemi sot. Ne të marrim detyrën para komisionit pastaj të presim drejtorinë çfarë vendimi do të marrë”,- tha Rama.
Duke u ndalur më pas në situatën ekonomike në vend Rama theksoi se të ardhurat nga Doganat dhe Tatimet janë rritur, por kërkohen sektorë të rinj për zhvillimin ekonomik.
“Biznesit i duhet kohë për të mos u tretur krejt në atë detin e zgjerimit. Fakti që ne sot kemi një qeveri që përfundimisht ka ndarë epokën kur rimbursimi i TVSH ishte një lëmoshë që jepej sipas dëshirës dhe mbi të gjitha merrej me para. Tashmë me një proces automatik, brenda 60 ditësh dhe i ndërtuar në mënyrë të atillë që tani nuk ka nevojë të jepet bakshish. E dyta, që një qeveri marr përsipër ti kthej paratë bizneseve për shkak të kontratave me të tretët, kjo është një epokë e re përgjegjshmëri nga ana e qeverisë. Kjo ka të bëjë me një demokratizim substancial të ekonomisë. Ende sipërmarrja nuk është e vetëdijshme për ndryshimin e strukturës ekonomike. Ne kemi nevojë për burime të reja rritjeje”, – bëri me dije gjatë fjalës së tij kryeministri Rama.
Ndërkohë, Ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu evidentoi se një nga problemet në Shqipëri është papunësia e lartë. Gjatë fjalës së tij, ambasadori Arvizu theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Ballkanin Perëndimor, duke i nxitur ato të bëhen pjesë e strukturave ndërkombëtare, siç është dhe NATO.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





