Itali, 3 qershor 2014 – Kriza ekonomike në Itali, në mjaft raste, i ka zhytur në dëshpërim të thellë emigrantët shqiptarë. Ka prej tyre, që, të rënduar psikologjikisht, nuk e përballojnë më gjendjen e vështirë.
Një situatë të tillë ka përjetuar Dhimitër Blinishta, 52 vjeç, murator, njeri i shkëlqyer e familjar i mirë. Për shkak të krizës ekonomike kishte mjaft kohë pa një punë fikse.
Babai i katër fëmijëve, banor i qytezës së Portalberas, nuk mund ta gëlltiste dot faktin, që nuk mund të kontribonte më si më parë për të mbajtur gruan dhe fëmijët. Në gjendje depresive vendosi të vetëvritet.
Me motorçikletë shkon në mbikalimin hekurudhor të lagjes Badia në provincën e Pavias. Parkon motorçikletën te parmakët mbrojtës të mbikalimit dhe hidhet nën rrotat e trenit rajonal nr. 20256.
Kështu përfundoi jeta e një njeriu të mirë e të ndershëm, që thjesht pagoi faturën e krizës ekonomike, që ka përfshirë Italinë.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





