Durrës, 30 maj 2014 – Një aksident me pasojë vdekjen e një 36-vjeçari është regjistruar mëngjesin e sotëm në vendin e njohur me emrin Mulliri i Bullgarit, në segmentin rrugor Shijak – Durrës.
Sipas policisë së Durrësit, automjeti tip Fiat, me targa AA834FO, i drejtuar nga 40 vjeçari Pajtim Smoqi, nga Shijaku është përplasur me një motorçikletë të drejtuar nga 36 vjeçari Alvin Muça, nga Xhafzotaj.
Përplasja e mjetit me motorçikletën tip Aprilia, me targa AF601, i ka kushtuar jetën 36 vjeçarit.
I aksidentuari është dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit, por përplasja ka qenë fatale dhe ai ka humbur jetën në duart e mjekëve.
Ndërkohë policia ka shoqëruar në komisariat 40 vjeçarin Pajtim Smoqi. Grupi hetimor po punon për të zbardhur dinamikën e aksidentit tragjik.
Mendohet se lagështira në rrugë dhe shpejtësia e madhe mund të jenë bërë shkak për përplasjen fatale.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





