·        Ekstremet e transportuesve detarë në radë: gjiganti Sider Luck i ndërtuar në vitin 2012 me pronar një shoqëri zvicerane dhe Amal me flamur kamboxhian, ndërtim i vitit 1971 me pronar një shoqëri libaneze në listën e zezë të Parisit për gatishmërinë teknike, i ndaluar më 3 janar 2014 në Patra të Greqisë, penalizim i tretë brenda 36 muajve

DURRËS, 30 maj 2014 –  Mbi 40 mijë prodhime çimentoje po presin të eksportohen në portin e Durrësit me 4 anije.

Sikurse bëhet e ditur nga raporti ditor i anijeve të transportit të mallrave të 30 majit 2014 (shih faksimilen e tabelës dhe hartën e pozicionit të anijeve në portin e Durrësit, datë 30 maj 2014, ora 12:00), në kalatën nr. 2 të portit të Durrësit pritet të niset anija Lady Eman me 5 800 tonë çimento me paleta; është nisur më 24 maj 2014 nga porti libian i Tripolit; ndërtuar nga kantieri Eiho Shipbuilding Japoni në vitin 1982, ka flamur të Tanzanisë; është në pronësi dhe menaxhim të shoqërisë libaneze të Bejrutit Island Navigators Management.

Në kalatën 11 të Terminalit Lindor, është bregëzuar më 30 maj 2014 ora 8:30 anija Sirios Cement IV, që do të ngarkojë 11 mijë tonë çimento rinfuso; anija është nisur nga Venecia për Durrës më 28 maj 2014 ora 12:36; ka flamur të Maltës me port regjistrimi Valeta; është ndërtuar në vitin 2006 në kantierin turk Selah Shipyard të Stambollit; është në pronësi dhe menaxhim të shoqërisë greke Sirios Shipmanagement.

Ndërkaq në radën e portit kanë mbërritur për t’u ngarkuar dhe dy anije.

Gjigantja Sider Luck, do të ngarkojë në kalatën nr. 11 të Terminalit Lindor 20 500 tonë klinker (përbërës për prodhim çimentoje); mban flamurin e Panamasë; ndërtim i ri fare, i vitit 2012, i kantierit detar japonez Yamanishi Shipbuilding & Iron Works; në pronësi dhe menaxhim të shoqërisë zvicerane të Gjenevës Navigest Trust Services & Shipmanagement.

Kurse anija Amal, që ka mbërritur në radë, po më 30 maj 2014, nga porti libian i Tripolit, pas një ngarkese po në Durrës, do të ngarkojë 3 999 tonë çimento me paleta në kalatën nr. 2; ka flamur të Kamboxhias; është ndërtim “i lashtë” – i vitit 1971, nga kantieri gjerman i Hamburgut JJ Sietas Schiffswerft; është në pronësi dhe menaxhim të shoqërisë libaneze të Bejrutit Alfamarine Shipping; figuron në “listën e zezë” të Paris MoU WGB për gatishmërinë teknike (më 3 janar 2014 është arrestuar në Patra të Greqisë, i treti ndalim brenda 36 muajve); e ka si shtëpinë e vet portin e Durrësit (shih foton e Ed Gjatës dhe faksimilen e njoftimit të Memorandaumit të Parisit për Kontrollin Shtetëror në Porte të datës 13 janar 2014).

Gjithsej në portin e Durrësit, industria e çimentos në Shqipëri, për një ditë eksporton 41 299 tonë çimento dhe klinker, teksa për periudhën 1 janar-30 prill 2014 janë eksportuar gjithsej 69 792 tonë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/