Durrës, 30 maj 2014– Tre shitës ambulantë janë marrë peng dhe janë rrahur nga dy të rinj durrsakë.
Motivi i grindjes ka qenë tipik shqiptar: “Pse më pe?”.
Konflikti i ndodhur për motive të dobëra është regjistruar rreth orës 21.00, të së enjtes, në lagjen nr. 1 në Durrës.
Tre shitës ambulantë nga Tirana, përkatësisht B.M., 17 vjeç; M.T., 19 vjeç dhe M.T., 20 vjeç kanë qenë duke shitur produktet tyre në disa tezga të improvizuara në afërsi të shëtitores Taulantia, kur janë konfliktuar me dy të rinj nga Durrësi.
Një shikim i tepër, shkëmbimi i sharjeve të rastit dhe më pas gjithçka ka degjeneruar në pengmarrje dhe rrahje.
Dy të rinjtë nga Durrësi, B.R., 20 vjeç dhe A.H., 19 vjeç, protagonistë të këtij sherri të pakuptimtë janë konfliktuar me bashkëmoshatarët e tyre nga Tirana dhe kanë menduar t’u japin një mësim të mirë.
Duke përdorur forcën, ata i kanë futur me dhunë në makinë 3 shitësit ambulantë dhe janë drejtuar drejt Korpusit Universitar në Spitallë, një zonë shumë pak e frekuentuar në atë orë të natës dhe ku dy durrsakët mund të vinin në zbatim planin e tyre.
Ata janë nisur drejt Korpusit Universitar me automjetin tip Benz, me targa AA296EK, në pronësi të 20 vjeçarit B.R.
Kur kanë mbërritur atje, i kanë zbritur sërish me dhunë 3 të rinjtë nga Tirana dhe kanë nisur t’i rrahin.
Pasi kanë ‘shfryrë’ dufin, i kanë lënë aty dhe janë larguar. Tre të dëmtuarit i janë drejtuar në këmbë komisariatit të policisë, ku dhe kanë bërë denoncimin përkatës për dy dhunuesit.
Njohja e targës i ka ndihmuar forcat e rendit për të identifikuar menjëherë drejtuesin e mjetit dhe për të bërë të mundur shoqërimin e pengmarrësve në polici.
Pasi janë mbledhur të gjitha dëshmitë nga palët e përfshira në këtë konflikt për motive të dobëta, efektivët e rendit kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për dy të rinjtë durrsakë, me akuzën “Heqje e paligjshme e lirisë”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





