Tiranë, 30 maj 2014 – Doksan Dushku, burri i moshuar që mori përsipër krimin e rëndë dhe të paprecedent të vrasjes së të bijës, ka rrëfyer për policinë edhe personin, për të cilin ka dyshime se mund të ishte i ati i fëmijës së të bijës.
Siç bën të ditur e përditshmja 'Shekulli', madje Dushku ka treguar edhe lidhjen miqësore që ka patur me personin, i cili sipas të dhënave i përket të njëjtit fshat.
Policia mban sekret emrin e personit, ndërkohë që mësohet se orëve të vona të mbrëmjes së mërkurë edhe kryer edhe ceremonia mortore e vajzës 21vjeçe që u ekzekutua me 8 plumba nga babai i saj. 69-vjeçari bëhet e ditur se i ka treguar me detaje para punonjësve të policisë së Dibrës gjithçka që i ka treguar vajza e tij dhe më pas për të shuar gjurmët e shtatëzanisë së saj ai ka vendosur ta vriste.
Ndonëse policia ka dyshime të forta se në krim ka marrë pjesë edhe njëri prej djemve të Doksan Dushkut, nga mënyra se si e ka rrëfyer ngjarjen burri, mësohet se ka shkarkuar nga përgjegjësia ligjore të dy djemtë.
Referuar të dhënave të pakta që dalin nga policia e Dibrës në lidhje me dëshminë e personit që vrau vajzën, bëhet me dije se personi që kishte krijuar lidhje me 21-vjeçaren ishte një njëri i njohur për familjen dhe se sipas autorit të krimit, asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja që mund të abuzonte në familjen e tij.
“Djemtë nuk kanë lidhje me atë histori. I kërcënova se do t`i vrisja nëse do të tregonin për ngjarjen. Gjithashtu i kërcënova se nëse do të afroheshin do t`i vrisja edhe ata”.
Kështu e ka shpjeguar mosimplikimin e tre djemve të tij Doksan Dushku para policisë së Dibër. Babai i viktimës, ka pranuar të rrëfehet para oficerit të policisë gjyqësore me detaje për krimin monstruoz të vrasjes së të bijës. Gjatë marrjes në pyetje, sipas policisë, ai ka pranuar të tregojë një pjesë të së vërtetës, duke pretenduar se ai e ka vrarë të bijën dhe se ka marrë pjesë i vetëm në krim.
Burimet policore thanë se 69-vjeçari ka pretenduar se ai e kishte vrarë Fatmirën për nder, pasi e kishte kapur, duke u shoqëruar me një person të fshatit. Ai ka shpjeguar rrethanat e ngjarjes duke dhënë disa prova për grupin hetimor, e duke shfajësuar djemtë e tij.
Madje, babai ka treguar edhe ku e kishte lënë armën e krimit, ndërkohë që policia ka vendosur arrestimin e tij për “vrasje në familje”, që tashmë konsiderohet një vepër e rëndë penale. Madje, për hetimin e mëtejshëm të saj, mësohet se drejt Dibrës është nisur një prokuror i Krimeve të Rënda, i cili do të drejtojë hetimet e mëtejshme për këtë çështje.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





