Durrës, 30 maj 2014 – Daniel Xhafaj largohet zyrtarisht nga Teuta. Sulmuesi vlonjat, autor i 14 golave në kampionatin e fundit me fanellën e durrsakëve, ka marrë dje letrat në klub. Kontrata e tij përfundoi me Teutën dhe tashmë golashënuesi i shquar është në kërkim të një skuadre tjetër në karrierën e tij të pasur.
“Po. Mund ta konfirmoj se nga sot u mbyll historia ime me Teutën. Kontrata ime përfundoi dhe mendoj se kam bërë më të mirën për skuadrën durrsake. I falënderoj të gjithë, duke filluar nga presidenti Hasanbelliu, stafin teknik dhe veçanërisht tifozët e Teutës, të cilët më kanë mbështetur vazhdimisht. E ardhmja? Unë e kam thënë që kam ende shumë për të dhënë. Ndihem mirë fizikisht për të vazhduar karrierën në nivele të larta. Shumë shpejt do të mësoni skuadrën e re, tani nuk mund të them asgjë konkrete”,– është shprehur sulmuesi.
Xhafaj është vetëm tre gola larg rekordit që e mban shkodrani Vioresin Sinani, me 208 të shënuar. Nga sa mësohet, ofertat për vlonjatin nuk mungojnë. Së fundmi ka sinjale se Partizani synon golashënuesin. Mësohet se trajneri i ri, Shpëtim Duro, e ka në plane, por kjo mbetet për t’u konfirmuar në ditët në vijim. Për momentin sulmuesi po pushon pranë familjes së tij në Tiranë.
Teuta është mbajtur si skuadër që furnizon kampionatin shqiptar me futbollistë, por asnjëherë nuk ka marrë më të mirën e lojtarëve të saj. Në radhët e Teutës ndodhen disa lojtarë që premtojnë për të ardhmen, por nuk kanë pasur mundësi të tregojnë vlerat e tyre të vërteta. Çyrbja, Kastrati, Beqja e sulmuesi Rezi ndodhen në momentet e tyre të shpërthimit dhe mund t’u besohet më tepër nga ana e stafit teknik.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





