28 maj 2014 – Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbetet gruaja më e pushtetshme e botës, e pozicionuar para presidentes së Bankës Qëndrore Amerikane (Fed) Janet Yellen, bazuar në listën vjetore të revistës “Forbes” e publikuar sot.

Është e katërta herë radhazi që Merkel pozicionohet në majë të klasifikimit të grave më të pushtetshme të botës dhe hera e nëntë në 11 vite.
Filantropja Melinda Gates është e treta, në të njëjtin pozicion si vitin e kaluar, presidentja braziliane, Dilma Rusef kalon nga vendi i dytë në të katërtin dhe francezja Christine Lagarde, drejtoreshe e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), fiton dy pozicione, nga i shtati në të pestin.

Hillary Clinron është numri gjashte i kësaj liste vjetore të grave më të pushtetshme të botës. Pronarja e re e “General Motors”, Mary Barra është e shtata, para Michelle Obamës e cila është e teta.

Lista numëron nëntë presidente që përfaqësojnë 641 milionë banorë, 28 drejtoresha ekzekutive dhe 13 miliardere. Më e reja mbetet këngëtarja ekstentrike Lady Gaga (28 vjeç, e 67 në listë). Më e moshuara është mbretëresha Elisabeth (88 vjeç, e 35-ta).

Të 100 gratë më të pushtetshme të botës (www.forbes.com/power-women) punojnë në fushën e teknologjisë, politikës, biznesit, medias, financës, botës së spektaklit, në organizatat e bamirësisë ose janë miliardere. Pushteti i tyre u përçaktua nga revista “Forbes” në funksion të të ardhurave, të pushtetit mediatik, të impaktit dhe të sferës së influencës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/