Durrës, 27 maj 2014 – Në Gjykatën e Faktit Durrës, sot u zhvillua seanca e një gjyqi të pazakontë. Gjykatësja Dhurata Billo, pjesë e trupës gjyqësore të Durrësit, nuk ishte si zakonisht në rolin e gjykatëses, por në atë të paditëses. Pala e paditur po ashtu ishte e pazakontë, bëhet fjalë për patriotin me origjinë kosovare Skënder Kapitin, pronarin e “Hotel Drenicës”, një nga pikat kyçe të logjistikës së UÇK-së në vitet 1998-1999.
Gjykatësja Billo e ka paditur zotin Kapiti për shpifje e fyerje publike. Thelbi i kësaj shpifje, sipas gjykatëses në fjalë është një shkrim i publicistit Kapiti, ku ai e përmend gjykatësen Billo si një gjyqtare që ka dhënë dy vendime në thelb të ndryshëm për të njëjtën çështje.
Avokati Ilir Malindi i z. Kapiti ka kërkuar që çështja të mos gjykohet në Gjykatën e Faktit Durrës, sepse sipas avokatit, fakti që gjykatësja Billo punon në Gjykatën e Durrësit mund të ndikojë në vendimin e dhënë nga kolegët e saj për këtë çështje. Avokati Malindi ka kërkuar transferimin e çështjes së gjykatëses Billo në një gjykatë tjetër, për të siguruar paanshmërinë e nevojshme në gjykim.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





