Ukrainë, 27 maj 2014 – Një separatist pro-rus thotë se të paktën 30 luftëtarë të tyre janë vrarë, gjatë luftimeve të djeshme me forcat ushtarake të Ukrainës, në qytetin lindor Donjeck.

Luftimet e 26 majit gjatë të cilave forcat qeveritare kanë përdorur edhe aeroplanët dhe helikopterët ushtarak, kanë filluar pasi që separatistët e kishin marrë nën kontroll aeroportin më të madh në Donjeck.

Në orët e para të ditës së sotme, janë ndërprerë luftimet në aeroportin më të madh të qytetit lindor ukrainas të Donjeckut.

Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase, ka deklaruar se separatistët pro-rusë, kanë pësuar humbje të mëdha.

Gjatë ditës së sotme, rojet kufitare të Ukrainës kanë njoftuar se konvoji i automjeteve me separatistë të armatosur, dyshohet që ka ardhur në Ukrainë përmes Rusisë.

Presidenti i ri i Ukrainës i dalë nga zgjedhjet e 25 majit, Petro Poroshenko, është zotuar se do të nisë dialogun me banorët e Ukrainës lindore por e ka përjashtuar mundësinë që të bisedoj “me terroristët”. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/