Durrës, 27 maj 2014 – Policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për dy të rinj, të cilët akuzohen për dhunimin e partnereve të tyre. Duket se problematikat familjare nuk arrijnë të zgjidhen përmes dialogut mes partnerëve dhe për palët zgjidhja më e “mirë dhe më efektive” mbetet dajaku.
31 vjeçari P.H., banues në Durrës, ka pasur një debat të fortë më bashkëshorten e tij 22 vjeçare dhe për t’i treguar “forcën” e burrit e ka kërcënuar dhe goditur me grushta këtë të fundit. E dhunuar nga ai me të cilin kishte vendosur të ndante jetën, 22 vjeçarja e ka pasur të pamundur të harrojë rastin e dhunës dhe për këtë i është drejtuar policisë së Durrësit për të bërë denoncimin përkatës.
Ajo nuk ishte e vetmja që iu drejtua efektivëve të rendit për mbrojtje. Të njëjtën gjë ka bërë edhe një 17 vjeçare, e cila është dhunuar nga bashkëjetuesi i saj O.K., 31 vjeç, banues në rrethin Durrës. Megjithëse prej pak kohësh çifti kishte nisur bashkëjetesën, partneri nuk ka nguruar të vërë dorë mbi të dashurën e tij dhe nuk ka marrë fare parasysh faktin se ajo nuk kishte mbushur ende 18 vjeç.
Në të dy rastet, policia plotësoi Kërkesë-Padinë për Lëshimin e Urdhërit të Mbrojtjes së Menjëhershme, ndërkohë që nisi dhe procedimin penal për dy meshkujt dhunues.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





