·        Ndërsa bizneset, mediet dhe ish-opozita në Tiranë kërkonin mosdekretimin e një koncesioni monopol, Oda Ekonomike në Prishtinë bënte sehir; tani, pas një viti, si kofini pas të vjelave, kërkon anulimin e ligjit të hartuar dhe miratuar me ngutje nga trojka Berisha-Topalli-Nishani në prill-maj 2013

·        Dokumenti: Ja çfarë thanë PS-ja dhe PD-ja në parlament më 25 prill 2014

Nga Thanas Mustaqi

 

DURRËS, 26 maj 2014 –  “Pagesa 39 euro për deklaratë doganore do ta bënte tregun e Shqipërisë joatraktiv për bizneset kosovare dhe shumë të shtrenjtë. Po kështu do t’i drejtonte importet transit për të gjetur rrugë të reja transporti për në Kosovë, jashtë Shqipërisë”, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) i bën thirrje Parlamentit dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të zhbëjë atë që gatoi para një viti (prill-maj 2013) PD-ja me anë të “Bacës” së kosovarëve, ish-kryeministrit z. Sali Berisha, ish-kryetares së Kuvendit znj. Jozefinë Topalli dhe presidentit të vendit, z. Bujar Nishani (shih faksimilen e Fletores Zyrtare 10 maj 2013 dhe tekstin shoqërues me të verdhë).

Është shkruar një hartim për monopolin e skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe kryeministrit Edi Rama nga Oda Ekonomike e Kosovës, hartim që i bëjnë jehonë dhe mediet e Prishtinës.

 “Duket që, për 15 vite, flasim vetëm fjalë të bukura, bëjmë shou para mediave dhe mbetemi me kaq”, lëshon piskamën politike OEK-u, që nuk është ndier një vit më parë për atë që e quan tani “‘dënimi me vdekje’ i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve dhe investimin mbi dy miliardë euro të bërë për rrugën nga Prishtina deri në Durrës e shumëzojnë me zero”.

OEK-u deklaron se “aktualisht janë dy probleme shumë shqetësuese për bizneset e Kosovës: certifikatat fitosanitare të prodhimeve të Kosovës dhe problemi tjetër – akoma më i madh – skanimi i të gjitha importeve dhe eksporteve, që bëhen për në Shqipëri apo që kalojnë transit nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë… Nëse për të parën kryeministri Rama ka premtuar që do të rishikohet dhe që çdo prodhim kosovar nuk duhet të qëndrojë më shumë se 20 minuta në terminal, për të dytën shenjat nuk janë të mira”.

Shenjat jo të mira që shohin krerët e një shoqate biznesi në Prishtinë kanë të bëjnë me faktin se nuk është gjë e lehtë dhe pa kosto për shtetin shqiptar  “të gjejë modalitet e duhura ligjore për të eliminuar këtë pengesë”, pra, anulimin e këtij koncesioni sikurse ka premtuar PS-ja gjatë fushatës zgjedhore 2013.

Nëse “vetëm pagesa 39 euro për deklaratë doganore llogaritet t’u kushtojë bizneseve kosovare mbi 2 milionë euro në vit” për biznesin shqiptar llogaritet deri në 100-fishin në vit.

Shoqatat e sipërmarrjeve dhe Dhoma e Tregtisë dhe Shqipërisë, PS-ja dhe shtypi në Tiranë kanë kërkuar mosmiratimin e ligjit dhe kontratës, kurse në Prishtinë rrinin dhe vështronin.

Ende në Tiranë e kërkojnë edhe tani anulimin e koncesionit, mesa duket, një mision i pamundur, jo nga mungesa e dëshirës së ligjvënësve dhe qeveritarëve.

Por edhe kërcënimi i Prishtinës se mosanulimi koncesionit “do t’i drejtonte importet transit për të gjetur rrugë të reja transporti për në Kosovë, jashtë Shqipërisë”, nuk është gjë e mirë, si nga pikëpamja ekonomike për Shqipërinë, në radhë të parë, por edhe kombëtare.

Për hir të informimit qoftë të lexuesit masiv, por edhe sidomos të bizneseve në Shqipëri dhe Kosovë, “Dyrrah”-u, me këtë rast po boton të plotë një procesverbal të mbledhjes plenare të Kuvendit të Shqipërisë së 25 prillit 2014 ku u miratua ligji për koncesionin e skanimit.

Bie në sy fakti që nga 5 diskutuesit e grupit parlamentar PS-së, një ishte deputeti i qarkut të Durrësit, Edison Konomi, aktualisht drejtor i degës së doganës Durrës; kurse Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave (përgjegjës) kishte si relator deputetin e qarkut të Durrësit Igli Cara, i cili u shpreh dakord për projektligjin, ndonëse në mbledhjen e komisionit, më 23 prill 2013, që zgjati 40 minuta, dy ditë para votimit në parlament, kishte munguar!

KRONOLOGJI

Marrëveshja e Koncesionit është lidhur dhe nënshkruar që nga 10 prilli 2013, midis Ministrisë së Financave, duke vepruar për llogari të Republikës së Shqipërisë sipas autorizimit dhënë nga vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 755, datë 2.11.2011, e përfaqësuar nga Ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, z. Ridvan Bode dhe Rapiscan Systems, INC me numër 954-41-3488, shoqëri e organizuar sipas ligjeve të Kalifornisë, SHBA, përfaqësuar nga Jonathan Fleming, zëvendëspresident i Rapiscan dhe banues në Commonwealth Virginia, USA.

Ligj nr. 123/2013 Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërisë “Rapiscan Security INC.”, si koncesionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit, miratuar në datën 25.4.2013.

Shpallur me dekretin nr. 8143, datë 2.5.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Dokument /Procesverbal i seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë 25 prill 2013

Jozefina Topalli– Rendi i ditës: … Projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoriteti kontraktues dhe shoqërisë Rapiscan Security si koncesionar për financimin ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të konteniereve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifws së shërbimit të skanimit”. Shprehet Komisioni i Ekonomisë dhe Financave (përgjegjës) Relator: Igli Cara… Për projektligjin e parë kanë regjistruar emrat nga opozita: Ilir Bejtja, Albert Çaçi, Edison Konomi, Ervin Koçi dhe Erion Braçe. Në emër të Komisionit, zoti Igli Cara? (Zoti Cara shprehet dakord.) Faleminderit!Zoti Bejtja, urdhëroni!

Ilir Bejtja– Mirëmëngjesi të gjithëve! Sot po kalojmë një koncesion të çuditshëm, dhënien e një shërbimi  një kompanie private për skanimin e kontejnerëve, mallrave apo kamionëve, mjeteve, që hyjnë në Republikën e Shqipërisë. Them i çuditshëm, sepse është praktikë unike. Në përgjithësi këtu na është thënë se po e bëjmë këtë gjë për përafrimin e legjislacionit tonë apo të procedurave me ato europiane. Cili vend i Europës e ka shërbimin e skanimit me koncesion? Ose cili vend i sistemit harmonizues të doganave e ka këtë shërbim me koncesion? Këto pyetje i kemi bërë edhe në komision, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Mos vallë kanë zgjedhur doganat europiane, të cilat janë të pranishme në doganën e Shqipërisë, të eksperimentojnë për herë të parë një risi kaq të madhe lidhur me kontrollin antikontrabandë që bëhet në dogana dhe t’ia lënë këtë një kompanie private, duke hequr dorë nga e drejta që të ushtrojnë autoritetin e tyre, që u ka dhënë ligji dhe Kushtetuta? Në mënyrë absolute, jo. E gjithë historia lidhet me një çmim prej 39 eurosh që do të paguhet për çdo mjet që do të skanohet, dhe me një përafrim që na u tha në komision, do të sjellë një të ardhur prej rreth 15 milionë eurosh në vit, e përkthyer në 15 koncesione shkon 200 milionë euro e ardhur për një ndërmarrje të huaj, e cila ka edhe autoritetin e prodhimit të këtyre pajisjeve. Pra, treg i garantuar, zinxhir vlere e mbyllur. Nuk e di se ku mund të gjendet një mrekulli e tillë, një favorizim i tillë, që prodhuesit t’i jepet mundësia të prodhojë një skaner dhe të mos ketë nevojë ta shesë, ta vërë në punë direkt në doganat shqiptare, t’u marrë paratë bizneseve shqiptare nëpërmjet detyrimit që bën shteti, në këtë rast dogana, dhe biznesin ta ketë të garantuar. Unë them se këta zotërinj, që kanë këtë koncesion, do ta hedhin kapelën mbi sy për 15 vjet dhe nuk do t’ia dinë nëse ka ose jo rëndësi se çfarë ndodh në biznesin e tyre, sepse është biznes i garantuar me të ardhura të shitura. Shërbimet koncesionare jepen me idenë që do të ndërtohet, do të investohet diçka, që më pas t’i shërbejë si e mirë publike atij që e ka dhënë koncesionin. Sa do të rrojnë këto pajisje? Sa kohë ka që është instaluar skaneri në portin e Durrësit? Sa herë është vënë në punë skaneri në portin e Durrësit? Punon sot? Na është thënë se nuk punon, sepse ka kosto të lartë. Mos vallë nuk punon, sepse është i prishur? Mos vallë nuk punon, sepse skanerët nuk rrojnë kaq shumë? Këto përgjigje nuk na janë dhënë asnjëherë. I gjithë problemi qëndron në faktin se ne, nëse bëjmë biznese të tipit monopol, e kemi shumë të thjeshtë ta marrim atë bakshishin sipas formulës së sotme, nëpërmjet doganierëve, që janë bërë një armatë banditësh, duke bërë taksidarin në çdo kamion. Kështu e kemi shumë të thjeshtë. Zotëria merr 39 euro për çdo kamion,  bën paratë në fund të vitit, na mbush zarfin dhe na i sjellë dhe ne nuk kemi pse të fëlliqemi, mbetemi zotërinj. Është një tarifë plus për të gjitha bizneset.

Në Shqipëri ka biznese që lëvizin një sasi të madhe kamionësh gjatë gjithë vitit. Shkojnë nga 200 deri në 300 kamionë. Në qoftë se ju bëni llogari shpenzimin që do të kenë, është rreth 7 mijë euro plus në vit. Pra, nuk e zgjidh problemin e korrupsionit. Na është thënë se tani e tutje nuk do të kemi nevojë për komunikime me euro-doganën, si nisen mallrat, që në fund të fundit është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet, por do t’i skanojmë të gjitha mjetet një për një dhe pastaj do të vendosim se cili prej tyre do të dalë me kod të kuq, që të kontrollohet, duke evituar kështu kalimin pa kontroll. Në fakt, kjo do të ushtrohet vetëm në 5 pika doganore, ndërkohë që Shqipëria ka 5 herë më shumë pika doganore. Kur i kemi pyetur se si do të zgjidhet problemi në pikat e tjera, nëse do të shikojmë se kemi devijim të fluksit të mallrave, ata na thanë se do ta spostojnë skanerin nga një pikë doganore tek tjetra. Me çfarë do të merremi më shumë? Do të merremi me instalim dhe çinstalim skanerësh apo me kapje të korrupsionit në dogana? Ky do të vazhdojë të jetë një version i djemve të mirë, siç sillemi ne në dogana me njerëzit, që kanë licenca dhe nuk pranojnë të bëjnë korrupsion me shtetin. Në këto pika, ku do të vendosen skanerët, të themi: “ja, zotërinj, në Shqipëri nuk ka korrupsion, nuk hyn asgjë pa doganë”. Ndërkohë që në doganat e tjera të tipit Tre Urat, apo dogana e Bllacës, apo dogana e Goricës, ku mezi kalohet, duken si dogana të vogla, se fatmirësisht e kemi lënë dhe rrugën pa rregulluar, bëhet nami. Kur të marrim vesh se atje fluksi është shumë i lartë, do të marrim mjetet t’i instalojmë dhe t’i çojmë në këto dogana. Më pas do t’i çojmë në një doganë tjetër.

Kjo do të jetë një lojë turpi, e cila nuk e zgjidh problemin. Përkundrazi, bën të mundur që herë pas here oficerët e doganës, drejtoritë e doganave nëpër rrethe, të ushtrojnë presion ndaj tyre e t’u thuhet: “Shiko, nuk e ke sjellë gjobën! Kujdes, se ta solla skanerin, të lashë pa lekë!” Kjo është një histori që vazhdon në këtë shtet. Përveç kësaj i krijohet mundësia dikujt të majmet në kurriz të bizneseve me një tarifë jo pak të kripur prej 39 eurosh për çdo deklaratë doganore. Me këtë shteti heq dorë nga të ardhurat, ashtu siç ka vazhduar të heqë dorë nga të gjitha të ardhurat që vijnë nga investimet publike, të cilat janë e drejtë e qytetarëve, ashtu siç kemi tentuar të privatizojmë shumë të mira publike, të cilat vazhdojnë t’i japin sot ekonomisë shqiptare të ardhura, të cilat përkthehen në investime në sektorët strategjikë dhe me rëndësi për vendin. Kështu po bëjmë edhe në këtë rast. Duket qartë që interesi është shumë i ulët, sepse këtu ne jemi mësuar që të kalojnë me dhjetëra koncesione të tilla. Në këta 4 vjet që kemi këtu në parlament gjëja e parë që ne bëjmë është të gjejmë një vend ku mund të vendosim një koncesion mbi pasuritë publike, mbi të drejtat publike, në mënyrë që të krijohet mundësi që dikush të fitojë para.

Pse duhet të vazhdojë kjo lloj historie? Kjo lloj historie duhet të vazhdojë për të ngritur një institucion, që tashmë është themeluar në dogana, korrupsionin pasiv dhe aktiv, i cili në mënyrë konstante deformon, shtrembëron si konkurrencën në treg, ashtu edhe lobimin që bën për të favorizuar biznese të ndryshme, duke krijuar monopole në Shqipëri. Favorizimin e biznesit e bëjnë nëpërmjet çdo rregulli apo ligji që nxjerrin, duke filluar me koncesionin e parë të pullave fiskale dhe duke vazhduar më tej me ndryshimin e ligjit “Për akcizën”, që iu dha kompetencë doganave, duke vazhduar më tej me shtrembërime tregu, ku këta të fundit sulmojnë firma të ndryshme që t’i dëmtojnë ato dhe të ngrenë në këmbë firma të cilat paraqiten më pranë biznesit, si dhe sjellje arbitrare të vazhdueshme dhe konstante ndaj bizneseve në dogana. Sot nuk ka një biznes të vetëm që të hyjë në doganë e të mos i dridhen gjunjët, pavarësisht nga mosha, pavarësisht nga kapitali, pavarësisht nga pastërtia me të cilën ata administrojnë biznesin, duhet të kenë një doganier, një avokat të tyre brenda doganës që ta ndiejnë veten komod. Çfarë do të bëhet me këtë skanim? Në qoftë se ju kujtohet, para disa kohësh u vendosën peshoret nëpër dogana. Atje ishte një taksidar ordiner, i cili thoshte: “Më sill mua 200 lekë në dorë, ndryshe nuk të fus në peshore”. Më pas u vendos si detyrim që të futeshin patjetër në peshore. Vijonte varianti, që ai i peshores kishte edhe çelësin, me të cilin prishte peshoren. Po tani për skanerët, e njëjta gjë do të jetë? Nëse do të hysh në skaner, duhet të japësh ca lekë? Ti që do të hysh në skaner mos e vrit mendjen. Thjesht do të turbullojmë pak pamjen. Ti që do të hysh në skaner mos e vrit mendjen, se je yni. Kjo nuk është një histori që mund të vazhdojë dhe të jepet me koncesion. Është një detyrim që dogana t’i ketë të vetat këto shërbime. Nëse sot ajo nuk ka para, le t’i vendosin kur t’i gjejnë paratë. Ka kanale për të luftuar korrupsionin.

Jozefina Topalli – Faleminderit! Urdhëroni, zoti Konomi!

Edison Konomi– Të nderuar kolegë! Sot po diskutojmë në lidhje me dhënien me koncesion të shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe mjeteve të tjera, të cilat hyjnë apo dalin në kufijtë e territorit të vendit tonë. Sipas raportit të paraqitur në komision, ky shërbim do të ofrohet në pesë pika doganore, nga të cilat vetëm 3 do të kenë mundësinë e skanimit të përhershëm, kurse dy të tjera do të jenë në shërbim operativ. Sot në vendin tonë operojnë 20 pika doganore. Gjithashtu, është propozuar që çmimi i tarifës së shërbimit të jetë 39 euro për deklaratë. Kjo tarifë do të rrisë në mënyrë direkte koston e çdo deklarate doganore.

Një nga pikat e tjera, ku ju e mbështesni këtë koncesion, është edhe parandalimi i kontrabandës për mallrat e akcizës apo lëndët narkotike, armët e të tjera. A e zgjidh ky koncesion parandalim  e kontrabandës, pasi, ashtu si ju e keni parashikuar, do të jenë tre skanerë të palëvizshëm dhe dy të tjerë të lëvizshëm në bazë të flukseve? Kush e garanton që mallrat kontrabandë nuk do të devijojnë në pikat e tjera doganore të hyrjes dhe të daljes në Republikën e Shqipërisë? Çfarë është bërë deri më sot me këto mallra kontrabandë? Për fat të keq, vendi ynë shpeshherë është përmendur nga organet ndërkombëtare të specializuara në luftën kundër krimit dhe transporteve të paligjshme, si një vend me potencial në rritje në transportin e lëndëve narkotike apo edhe armëve. A do të jetë i mjaftueshëm për të luftuar fenomenet e trafiqeve dhe korrupsionin vetëm montimi i këtyre skanerëve? Të gjithë mund ta japin përgjigjen. Në radhë të parë, duhet të rishikojmë strukturat tona dhe forcën e shtetit ligjor, në mënyrë që ai të funksionojë vërtet si i tillë. Duhet të kujtojmë se nuk është vetëm Partia Socialiste që ka denoncuar korrupsionin në dogana apo edhe në hallka të tjera, por edhe dhomat tregtare, si ajo amerikane apo gjermane. Përfaqësuesit e këtyre dhomave kanë shprehur shpeshherë shqetësimin e tyre në lidhje me çështjen e korrupsionit. Pikërisht ky fakt e bën korrupsionin në dogana një problem madhor, pasi ai ndikon ndjeshëm në uljen dhe frenimin e investimeve të huaja, sidomos të atyre kompanive serioze, të cilat presin një ambient ku të dominojë ligji.

Ne disponojmë ligje të mira, të cilat përputhen me standardet europiane, por problemi ynë është moszbatueshmëria e tyre. Është për t’u theksuar se raportet e institucioneve ndërkombëtare, si DAVOS apo edhe Banka Botërore, e cilësojnë korrupsionin si një nga faktorët më problematikë të biznesit në Shqipëri. Për këtë arsye, do të theksoja edhe një herë, se është shteti ligjor me strukturat e tij, që do të bëjë të mundur luftën ndaj trafiqeve dhe korrupsionit. Por, për ju shteti ligjor mbetet vetëm një togfjalësh në fjalor dhe asgjë më shumë. Çdo qytetar shqiptar në këto 8 vjet ka parë se si e përdorni ju të ashtuquajturin shtet ligjor, duke favorizuar klientët tuaj dhe duke goditur biznesin e ndershëm. Të mos harrojmë se ishte ky shtet ligjor, i cili mori vendimin e turpshëm të shkatërrimit të institucionit të zgjedhjeve, duke shkarkuar dhe emëruar anëtarë të KQZ-së persona vetëm për interesa personale elektorale. Ishte ky veprim, i cili e vuri edhe një herë tjetër Shqipërinë në qendër të vëmendjes së organeve ndërkombëtare dhe vendeve partnere të saj. Kjo, jo për arritjet e saj në luftën kundër trafiqeve dhe korrupsionit, por për mënyrën e vetme që dinë të bëjnë këta pushtetarë për të vendosur nën kontroll institucionet e pavarura. Ishte ky veprim, i cili komprometoi edhe një herë tjetër ligjshmërinë e institucioneve të pavarura në vend dhe prishjen e imazhit të Shqipërisë, duke treguar edhe një herë se interesat politike personale vijnë përpara nevojave të vendit.

Ne mund të diskutojmë për përmirësimin e pikave tona të kontrollit doganor, por do të jetë forcimi i strukturave në shërbim të shtetit dhe jo të pushtetit, që do ta bëjë vërtet ndryshimin. Po në lidhje me luftën kundër trafiqeve: duke qenë se ky është një fenomen permanent, përse studimi që na paraqitet sot nuk është bërë më parë nga ju, qoftë nga administrata doganore apo nga strukturat e specializuara në luftën kundër trafiqeve? Kjo vjen si pasojë e studimit të një kompanie private. Të mos harrojmë se të ardhurat e këtij koncesioni, minimalisht, duke mos llogaritur rritjen natyrale ndër vite të import-eksperteve, arrijnë në 180 milionë euro, ashtu siç u raportua edhe në komision. Gjithashtu, u vu theksi se këta skanerë do të menaxhohen nga punonjës të kompanisë, pasi ne nuk kemi burime njerëzore në administratën doganore, të specializuara për të lexuar imazhet. Personalisht, mendoj se ne kemi kapacitete. Falë trajnimeve profesionale, ky shërbim mund të kryhej edhe nga administrata jonë doganore, siç ndodh në të gjithë Europën. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave në komision deklaruan se në bazë të të dhënave që ministria dispononte gjatë kohës së shqyrtimit, kur u bë studimi lidhur me këtë projekt, rezultoi se asnjë nga vendet e Europës nuk e ka të koncesionuar këtë shërbim. Pra, nuk është i koncesionuar te një subjekt privat, por i mirëkontrolluar nga administrata doganore.

Ne jemi pro si ndaj shërbimeve, që do të përmirësonin shërbimin ndaj subjekteve private, si një detyrim që kemi ndaj tyre, ashtu edhe përmirësimit dhe kontrollit më të mirë të pikave tona doganore, duke shmangur, parandaluar dhe goditur në këtë mënyrë, me masa efektive trafiqet e paligjshme, evazionin fiskal, si dhe korrupsionin në pikat doganore. Gjithashtu, duhet të vlerësojmë edhe kapacitetet tona për ofrimin  e këtyre shërbimeve, për të pasur nën kontroll kostot e këtyre shërbimeve apo duke vlerësuar përfitueshmërinë e tyre, në mënyrë që të shmangen abuzimet.

Pas 23 qershorit, me qeverisjen e Partisë Socialiste, duke u dhënë vendin e merituar profesionistëve në drejtimin e strukturave shtetërore dhe duke shtrirë bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke shfrytëzuar në mënyrë më të efektshme mundësitë që ofron teknologjia, të jeni të sigurt se kontrolli doganor, dhe jo vetëm ai, do t’u afrohet standardeve europiane, duke rikthyer përgjegjshmërinë dhe sigurinë e pikave tona doganore në luftën kundër trafiqeve. Faleminderit!

Jozefina Topalli– Urdhëroni, zoti Koçi!

Ervin Koçi– Të nderuar kolegë! Çështja që po diskutojmë, miratimi  i kontratës koncesionare për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera, është një tjetër veprim abuziv i Kryeministrit në ikje, duke dëmtuar interesin publik dhe duke rritur ndjeshëm kostot e biznesit në dogana. Dhënia me koncesion e shërbimit të kontrollit doganor, është një biznes i pastër qeveritar, duke i vënë një gjobë prej 39 euro çdo kontejneri dhe automjeti që hyn dhe del në pikat doganore të territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipas qeverisë dhe relacionit që ajo ka paraqitur, e gjitha kjo do të shërbejë për të shmangur në raportimin e deklaratave doganore, dhe do të parandalojë kontrabandën, kryesisht atë të produkteve të akcizës, të lëndëve narkotike, të produkteve të dëmshme, të armëve dhe municioneve, pasi ka qenë një shqetësim shumë i madh i qeverisë.  Sipas përfaqësuesve të qeverisë në komision, administrata doganore është  e paaftë dhe nuk ka kapacitetet e duhura për të kryer këtë shërbim.

Nëse qeveria e ka pasur kaq shqetësim kontrollin nëpër dogana për shmangien e evazionit, përse nuk e ka marrë vetë iniciativën më përpara, por ia ka lënë kompanisë që ta kërkonte këtë shërbim? Por, si çdo koncesion që ka dhënë kjo qeveri në 8 vjet, edhe ky është një propozim për ta bërë ciklin e një veprimi abuziv më të plotë. Ka qenë vetëm një kompani që ka marrë pjesë në këtë procedurë, ajo që ka bërë kërkesën që ky shërbim të jepet me koncesion. Sipas vetë Ministrisë së Financave, nuk ka asnjë eksperiencë europiane në koncesionimin e këtij shërbimi. Asnjë vend në botë nuk e ka me koncesion këtë shërbim. Si ka mundësi, kur në asnjë vend tjetër ky shërbim nuk jepet me koncesion, kompania më e madhe e prodhimit të skanerëve, i kërkon qeverisë shqiptare të marrë shërbimin e kontrollit doganor me koncesion? Cila është arsyeja që nga 200 shtete, kjo kompani përzgjodhi Shqipërinë për koncesion? Nga e kishte siguruar kjo kompani këtë informacion për vendin tonë, që, për hir të së vërtetës, është një treg me pak transaksione tregtare krahasuar me vende të tjera? Nuk është një treg atraktiv për kompanitë lider në botë. Dalin edhe shumë pyetje të tjera, por përgjigjet të çojnë qartësisht tek ajo që dhënia me koncesion është një biznes i qeverisë në ikje ose një nder që qeveria i bën ndonjë kompanie lobuese të qeverisë, e cila punon për të mbrojtur imazhin e Kryeministrit nga bëmat e tij antiligjore, por që është kundër interesit të tij publik.

Kolegët e djathtë në komision e mbronin se është një kompani amerikane dhe nuk duhet kundërshtuar. Po përse, kur partneri ynë strategjik, SHBA-ja flet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, qeveria nuk e dëgjon dhe ju deputetët heshtni? Pse, kur partneri ynë strategjik, ju kërkoi publikisht të mos ndryshoni anëtarin e KQZ-së, Kryeministri në ikje jo vetëm nuk e dëgjoi, por u bëri edhe karshillëk kërkesave të tyre? Pse kur partneri ynë strategjik deklaron publikisht se cenimi i standardeve ndërkombëtare, që po u bëhet zgjedhjeve, do të sjellë kosto të larta për Shqipërinë dhe do të ketë pasoja të pariparueshme për vendin, pushteti që qëndron në këmbë me vota të blera, nuk i merr parasysh? Kur qeveria bën biznes për një interes personal, ju pëlqen të mbroheni, duke thënë se është kompani amerikane, pavarësisht se dëmton interesin publik, si atëherë kur privatizuat shoqërinë ARMO, kur përmendnit çdo ditë që është një shoqëri amerikane, si me përrallën e Albpetrolit apo për Lotarinë Kombëtare, që është kompani austriake, por që realisht është një biznes i klientëve pranë pushtetit. Kur përpiqeni të formoni vullnetin popullor nuk e dëgjoni partnerin strategjik. Kur vidhni Shqipërinë nga fillimi në fund, përmendi se janë interesuar kompani, që e kanë selinë te partnerët tanë strategjikë. Ishte kjo qeveri në ikje që dha me koncesion shërbimin e kolaudimit të automjeteve. Tarifa e shërbimit është rritur 3 herë. Ishte ky Kryeministër në ikje që dha me koncesion administrimin e pullave fiskale të mallrave të akcizës dhe rriti tarifën e shërbimit me dhjetëra herë, tarifa më e lartë në të gjithë Europën. Është ky pushtet në ikje që po jep me koncesion markimin e karburantit dhe që do të rrisë çmimin e naftës edhe me 100 lekë të tjerë. Tani vini me një propozim për koncesion, për shërbimin e kontrollit në doganë, që për herë të parë në të gjithë botën aplikohet në Shqipëri, me një afat për 15 vjet. Një biznes ky që u shkakton qytetarëve shqiptarë 300 milionë euro dëm.

Shkoni qeveritarë dhe pyesni në vendet e rajonit se si administrohet ky shërbim. Cilat janë tarifat. Do të shikoni që shërbimi doganor i kontrollit administrohet nga vetë doganat dhe biznesi nuk paguan asnjë lek. Pyesni në Greqi apo në Itali! Kurse në Shqipëri çdo automjet, çdo kontejner që hyn dhe del, që ka vlerë mbi 1000 euro do të paguajë 39 euro. Kjo është qeveria që trumbeton nga mëngjesi në darkë se jemi vendi me taksat, tatimet e tarifat më të ulëta në Europë, por që sipas Doing bussines, jemi të 160-ët në botë. Për më tepër, justifikimi i qeverisë se do të luftojë evazionin fiskal bie, sepse ky shërbim do të jetë vetëm në 5 pika doganore kufitare, nga 20 që ka Shqipëria.

Mallrat që janë objekt i evazionit, i veprimtarisë kriminale do të shmangen nga këto pika doganore, ku do të bëhet skanimi dhe do të shkojnë drejt 15 pikave të tjera. Pra, justifikimi juaj se kjo bëhet për të mos pasur kontrabandë dhe evazion fiskal apo trafiqe të paligjshme, nuk qëndron. Këto janë thjesht justifikime, pasi realisht ju po krijoni një biznes të ri qeveritar, duke dëmtuar biznesin dhe duke ngritur koston për qytetarët, siç po dëmtoni vendin me veprimet tuaja për KQZ-në.

Sali Berisha refuzoi mesazhet e parterëve tanë ndërkombëtarë, kërkesat e tyre për të mos cenuar pavarësinë e KQZ-së. Kryeministri në ikje nuk dëgjon zërin dhe shqetësimin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por në emër të tyre, duke përdorur bizneset që kanë selitë në këto vende partnere, bën biznes për oborrin e pushtetit të tij. Uzurpimi i KQZ-së dhe plaçkitja e Shqipërisë janë veprime tipike për një sundimtar që është në fundin e tij. Është fundi i një regjimi kundër interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kundër vetë partnerëve tanë strategjikë, që po përdor çdo mjet për të qëndruar në pushtet pas 23 qershorit. Manovrat e paligjshme të Saliut nuk kanë asnjë shans të ndryshojnë fatin e zgjedhjeve. Asgjë nuk e ndal dot popullin në vendimin e vet sovran. 23 qershori do të jetë një fitore, që do të largojë pushtetin familjar të Kryeministrit në ikje dhe do të krijojë mundësinë për të rishikuar çdo koncesion që ka dëmtuar interesin publik. Faleminderit!

Jozefina Topalli– Urdhëroni, zoti Braçe, në emër Grupit Parlamentar të PS-së!

Erion Braçe– E nderuar, zonja Kryetare! Natyrisht që edhe ky projektligj që kemi përpara, që ratifikon këtë kontratë koncesionare, është në vazhdën e një serie koncesionesh të miratuara gjatë tre muajve të fundit, por ka në thelb filozofinë tashmë të shprehur gjerësisht, aksionin më të madh Sali Berishës, Kryeministrit të vendit, për të ndërtuar apo për të tjetërsuar, në radhë të parë, një atdhe publik dhe për ta kthyer atë në një atdhe privat. Natyrisht që e nisi me pasuritë kombëtare, njëra pas tjetrës, në seri, duke i dhënë me koncesion dhe ku përfitimet e publikut, të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, të drejtpërdrejta apo në buxhetin e shtetit janë thuajse minimale. Përfitimet e privatëve janë ato që bëjnë diferencën dhe që po pasurojnë në mënyrë dramatike një grusht kompanish private apo edhe drejtues të tyre, patjetër edhe klientë të tyre, duke filluar nga Kryeministri i vendit e me radhë për çdo sekser që negocion këto kontrata koncesionare. Por ajo që është më e rëndë ka të bëjë me koncesionimin në seri të një sërë shërbimesh publike, të cilat qeveria ka detyrimin t’ua ofrojë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë duke bërë edhe politikë sociale. Kjo gjë nuk po ndodh dhe e shoqëruar në procedurë me një sërë mangësish të tjera, përbën dëmin më të madh që po i bëhet këtij vendi në fund të një mandati 8-vjeçar qeverisjeje.

Po t’i referohemi kontratës vërejmë të gjithë problematikën që ne kemi konstatuar në vijimësi gjatë 8 vjetëve, apo posaçërisht gjatë 4 vjetëve të fundit në të tilla raste të koncesionimit të shërbimeve që duhet të mbeten publike. Së pari dhe mbi të gjitha, vazhdon procedura e koncesionimit përmes praktikës së propozimit të pakërkuar. Pra nuk është qeveria ajo që ka identifikuar koncesionin, por një kompani private, e cila ia paraqet këtë qeverisë si një biznes të mundshëm e fisibël të sajin. Pastaj vijojnë me radhë të gjithë elementet e tjera që e pasojnë: bonusi, mungesa e konkurrencës në tender, siç është edhe rasti në fjalë, dhe natyrisht dhënia e këtij shërbimi në kushte monopoli. Ky nuk është i vetmi. Për më tepër shërbimi është i garantuar, sepse me detyrim çdo tregtar që merret me importin apo eksportin e mallrave, që i drejtohet një dogane të Shqipërisë, do të paguajë 39 euro për çdo kontenier apo kamion që do të fusë apo nxjerrë nga Shqipëria me mallra. Duke qenë me detyrim është një biznes monopol i garantuar për kompaninë që do ta marrë me këtë kontratë që ne po miratojmë sot në Kuvendin e RSH-së. Nuk janë pak. Për 15 vjet koncesion do të shkojnë mbi 250 milionë euro në xhepat e kompanisë, para që do t’i paguajnë drejtpërdrejt tregtarët në doganë dhe pastaj do të mbarten mbi kurrizin e qytetarëve të RSH-së. Ata do të jenë të fundit që do të paguajnë këto shpenzime, që ne po ia japim si biznes të garantuar monopol një kompanie të vetme.

Natyrisht që nuk është rasti i vetëm. Ju fola pak më parë për të gjithë praktikën e koncesionimit që po vjen në Kuvend. Po vijnë në seri, e përsëris, zëre se po vijnë me breshëri automatike, njëra pas tjetrës, në fund të mandatit. U fillua me koncesionin e shërbimit të kontrollit të automjeteve. Ishte monopol. Ne insistuam këtu në sallën e Kuvendit që të paktën të mos ishte në kushtet e monopolit, por të garantonte konkurrencën me qëllim që të kishim shërbim më cilësor dhe çmime më të mira për qytetarët e RSH-së. Sot, pas 3-4 vjetësh të funksionimit të këtij koncesioni, çmimi është rritur nga 6 mijë lekë në 18 mijë lekë për çdo makinë dhe, natyrisht, të ardhurat për koncesionarin vazhdojnë të shtohet. Llogariteni këtë shumë në 370 mijë makina që i nënshtrohen kontrollit teknik të tyre dhe del një shifër që shkon nga 15 milionë në vit dhe për 10 vjet shkon në 100 milionë euro, pavarësisht se koncesioni ka një afat më gjatë së sa kaq. Vazhdojmë me koncesionin tjetër, me atë të pajisjes me kasë fiskale dhe të mirëmbajtjes së saj. Pavarësisht se në fillim nisi si monopol, u tentua vetëm tani të liberalizohet. Pyetini tregtarët: Është apo nuk është monopol? Ka përfunduar vetëm në duart e dy kompanive apo jo? Dhe nuk janë pak të ardhura: 340-450 euro kushton kasa, 48 mijë lekë bën kontrolli, 22 mijë lekë bën abonimi i kartës SIM dhe 24 mijë lekë është kostoja e mirëmbajtjes. Urdhëroni se çfarë shifre dramatike shkon te biznesi nga ky koncesion dhe më së fundi përfundon te qytetari! E vazhduat me koncesionin tjetër, atë të pullave fiskale. Kemi qenë këtu, në sallën e Kuvendit, kur ju kemi argumentuar se çmimi i pullave fiskale do të rritej nga 5% në 13%. Ashtu ndodhi. Është fakt i kryer, të gjithë e paguajnë në bizneset e tyre, por është konsumatori që e paguan i fundit këtë kosto. Për 10 vjet të ardhurat arrijnë në 140 milionë të tjera. E njëjta gjë ndodhi me koncesionin e pasaportave. Do ta diskutojmë më pas, se vjen edhe ai si koncesion i ri për 5 vjet të tjerë, pikërisht kur nuk ka përfunduar dhe kur ju duhet t’i ktheni shërbimet që u ka bërë. Do të flasim edhe për të më pas. Për 5 vjet, me një xhiro vjetore prej 50 milionë eurosh, bëhen 250 milionë euro të tjera nga pasaportat.  Është edhe koncesioni tjetër, që keni miratuar në qeveri dhe po prisni ta sillni në parlament, atë të markimit të karburanteve, gjithashtu monopol. Edhe atje do të shkojnë gati 150 milionë euro.

Pra, për 5 vjetët që kaluan, 10-15 vjetët që do të vijnë, që përbëjnë afatin e këtyre koncesioneve, qytetarët e RSH-së do të paguajnë gati 1 miliard euro, thjesht dhe vetëm që të bëjnë biznes disa kompani që, për fat të keq, me përjashtim të këtyre të kasave fiskale, të gjitha janë të huaja dhe vetëm do të marrin para në këtë vend. Ky është shqetësimi që kemi ne. Natyrisht në vijim të një praktike që na keni sjellë ju, por që është praktika themelore që ka udhëhequr këtë qeveri në koncesionimin qoftë të pasurive kombëtare, qoftë të shërbimeve publike që duhet të ofrohen për qytetarët e RSH-së, monopol i pastër, me tarifa të rregulluara në rritje, të vendosura nga ju dhe të shtrenjta për qytetarët e RSH-së. Po e përsëris edhe një herë, janë mbi 1 miliard euro që paguajnë qytetarët e RSH-së pa asnjë shkak, pa asnjë përmirësim të shërbimit dhe, natyrisht, pa asnjë përfitim të tyre të drejtpërdrejtë, ata thjesht nxjerrin para nga xhepat e tyre, para që largohen nga ky vend në formën e fitimeve që marrin kompanitë koncesionare.

Do të ishte plotësisht e udhës që këtë koncesion, ashtu si në të gjitha vendet e Evropës, ta mbante qeveria e RSH-së. E përmendën kolegët e mi edhe në Komisionin e Ekonomisë se nuk ka asnjë përvojë tjetër në vendet e BE-së, ku ne duam të shkojmë, të koncesionimit të këtij shërbimi, ashtu siç ishte edhe për pullat fiskale. Nuk na dëgjuat. Ecët përpara, sepse kjo është filozofia juaj, shndërrimi i atdheut publik të shqiptarëve në një atdhe privat vetëm të disa personave, të cilët po përfitojnë në mënyrë dramatike duke rrjepur qytetarët e RSH-së ditë për ditë, javë për javë, muaj për muaj, vit për vit, për 8 vjet që kaluan dhe për 15 vjet të tjera që do të vijnë, për aq kohë sa ju vazhdoni të pretendoni se këto kontrata nuk mund të revizionohen, nuk mund të përmirësohen apo nuk mund të anulohen. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Atdheun kthejuani shqiptarëve. Në rast se nuk e bëni ju, do ta bëjmë ne. Atdhe të pesë biznesmenëve privatë nuk mund të ketë në këtë vend. Atdheu duhet të jetë publik dhe duhet të jetë i shqiptarëve, të cilët duhet të marrin shërbime me kosto të lirë në këtë vend. Faleminderit!

Jozefina Topalli– Faleminderit! Në emër të grupit të PD-së, zoti Ministër, urdhëroni, keni fjalën.

Ridvan Bode– E nderuar zonja Kryetare! Të nderuar kolegë deputetë! Projektligji që sjellim sot ka të bëjë me miratimin e një kontrate për kontrollin doganor me një nga kompanitë më të mëdha në botë në prodhimin e teknologjisë së imazherisë, siç është “Rapiscan”, dhe që ka një rrjet gjithnjë në përhapje në të gjithë botën, edhe për këtë çështje që kemi sjellë sot, që ka të bëjë me kontrollin doganor përmes imazherisë së prodhuar me rreze X.  Atdheu duhet t’u kthehet shqiptarëve dhe t’ua heqim nga duart trafikantëve, kontrabandistëve dhe evazorëve. Kjo ka qenë një strategji e qeverisë aktuale, e filluar shumë vite më parë, për të koncesionuar një sërë pasurish kombëtare, në mënyrë që të përdoreshin ato në interes të kombit, në interes të ekonomisë së vendit dhe, po ashtu për të koncesionuar një sërë shërbimesh publike, të cilat do të shoqëroheshin me ulje të kostove, me ulje të çmimeve që paguajnë qytetarët dhe bizneset dhe me rritje të eficiencës së këtyre shërbimeve në raport me qytetarët, me ekonominë dhe me interesat kombëtare e perspektive të vendit. E deklaroj përpara Parlamentit me kënaqësi shumë të madhe faktin që mundësuam në sektorin fiskal të koncesionojmë disa nga pikat më nevralgjike për të luftuar evazionin, kontrabandën dhe korrupsionin e administratës. Xhiron e bizneseve nuk e caktojnë më taksidarët, por kemi një gardian, që është pajisja elektronike fiskale, kasa regjistruese, e cila raporton çdo minutë online dhe llogarisin xhiron që bën çdo biznes në aktivitetin e tij. Sigurisht, e di që ka probleme, por ato nuk vijnë nga administrata, por nga mospërdorimi në mënyrë ligjore të këtyre pajisjeve. Kjo nuk është monopol dhe çmimi nuk është ai që thatë ju, është vetëm 4800 lekë në vit, përfshirë riparimin, transmetimin dhe kartën e telefonisë celulare, vizitën fiskale, pra sa 1/1000-ta e asaj që një taksidar i pandershëm mund t’i kërkonte një biznesi duke i bërë presion për xhiron. Kjo është kostoja. Vendosëm mbikëqyrjen e mallrave të akcizës me pulla fiskale të sigurisë së lartë përmes një kontrate koncesioni me një nga firmat më të mëdha evropiane. Cili është rezultati? Klientët tuaj, që nuk e pranuan fillimisht, sot deklarojnë një xhiro për mallrat e akcizës të paktën 4 herë më të lartë në harkun e një viti. Kjo do të thotë të fuqizosh konkurrencën, transparencën e tregut, t’i japësh siguri çdo individi që futet në treg. A paguajnë kompanitë më shumë? Jo. Paguanin shumë më tepër ryshfete dhe pagesa gjobash të vizitave fiskale. Tani deklarojnë dhe raportojnë online përditë se çfarë pullash kanë përdorur, se çfarë shenjuesish kanë vënë dhe janë më konkurrues. Pyetini tani klientët tuaj, të trembur në momentin e vendosjes së saj, por që ishin të interesuar për një transparencë dhe konkurrencë në treg: A ishin gjë e mirë apo e keqe pullat fiskale? Do ta merrni përgjigjen prej tyre, se unë e kam marrë. Vendosëm të shënojmë karburantet përmes jonizimit dhe e kemi përfunduar këtë gjë, e kemi lidhur kontratën. Sigurisht ka shqetësime në treg për të gjithë ata  që përdorin tregun e karburanteve për të bërë evazion, duke bashkuar të gjitha llojet e karburanteve në karburantin e automjeteve dhe duke mos respektuar standardin e shitjes së tij, në përpjekje për t’u shpëtuar taksave dhe duke shkatërruar pasuritë e mëdha që kanë qytetarët. Qytetarët nuk morën kosto shtesë për këtë çështje. Pyetini ata kur të kenë karburantin e makinës së tyre të pastër dhe me fuqitë që parashikon standardi i lejuar për trajtimin e karburanteve! Sigurisht klientët tuaj sot janë shumë të shqetësuar për këtë. Ata që përziejnë naftën bruto me naftën që shkon në serbatorin e makinave të qytetarëve janë klientët tuaj. E dini shumë mirë ju që janë klientët tuaj. Megjithatë, unë po ju them se do ishte më mirë që qeveria të koncesiononte sa më shpejt edhe inspektoratin qendror teknik për t’ia kaluar analizën e karburanteve që futen në treg jo më shtetit, që gjithmonë lëshon fatura kundrejt një administrate jo transparente. Të jeni të bindur se qytetarët do ta paguajnë 10 herë më pak atë karburant që është llum dhe që shkatërron mjetet e tyre. Koncesionimi është zgjidhja. A e dini sa paguan sot një automjet që bën kontrollin teknik në doganë dhe sa i kushton një kompanie një kontroll doganor? Nuk po them orët që rrinë aty, dhe as sa shpenzojnë për të qarkulluar nga një vend në vendin tjetër të kontrollit fizik, por sa i kushton një kompanie vetëm ngarkim-shkarkimi i një makine? Këtu pagesa do të jetë më e paktë dhe tregu më i garantuar. Pse bërtisni ju? Para disa ditëve rilindësi juaj Rama deklaroi publikisht, dhe e kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët, që nëse ai do të vijë në pushtet, do të japë me koncesion menaxhimin e doganave të Shqipërisë. Kjo është pjesa thelbësore e menaxhimit të doganave të Shqipërisë.  Nuk do të ketë më nevojë për taksidarë që deklarojnë apo nuk deklarojnë të vërtetën, por do të jetë një kompani, e cila me të njëjtën saktësi që kontrollohen organet e brendshme të një të sëmuri, do të kontrollojë mallrat që hyjnë e dalin në Shqipëri. Imazhet tani do të jenë online edhe në doganë edhe për publikun dhe do të ofrohet mundësia që çdo qytetar të hapë kompjuterin dhe të shohë se ç’ka brenda sipas leximit të imazheve që do të bëjnë ekspertët. Kjo është transparencë dhe luftë kundër korrupsionit e kontrabandës. Kjo është t’i kthesh atdheut pasuritë që i takojnë. Përse bërtisni kaq? Vetë kryetari juaj deklaroi publikisht dhe ju tha se do t’ia jepte shërbimin doganor një kompanie të huaj. Procesi ka filluar të paktën 5 vjet të shkuara për t’iu dhënë kompanisë më të madhe të imazherisë botërore, të cilës po i japim kontrollin e doganave shqiptare, që të jetë mundësia për transparencë për të gjithë qytetarët. Ky është atdheu i qytetarëve dhe jo atdheu në dorën e kontrabandistëve dhe të korruptuarve. Me këtë strategji do të vazhdojmë edhe më tej.

Deri më sot kam mundur të bëj deri 5 koncesione. Po të kisha mundësi, do të bëja edhe 15 të tjera, në mënyrë që gjithë shërbimi publik shqiptar, çdo burim që ushqen korrupsionin në administratë, të kalojë në duart e privatit, për të rritur cilësinë dhe për të ulur gjobat që paguajnë qytetarët. Kjo kontratë jep siguri për të gjitha mallrat që hyjnë. A e dini që SHBA 4 vjet të shkuara u kanë kërkuar të gjitha vendeve të botës se, në qoftë se nuk do të jetë ky shërbim, nuk do të pranohen eksportet në SHBA, sepse është shërbimi që garanton saktësi për jetën e qytetarëve, edhe për qëllime fiskale, edhe për mbrojtjen e vendit, edhe për sigurinë e kufijve. Ju po e bëni si në kohën e “Borgjezit fisnik”, ku të tjerë tregojnë teorinë e dialogut dhe monologut, dhe ju s’e dini se kjo që po bëjmë ne është monologu dhe dialogu juaj. Ato që ju kërkoni sot dhe i fusni në programin e rilindjes, ne i kemi bërë me kohë, por ju nuk dini se çfarë ndodh në Shqipëri. Faleminderit!

Jozefina Topalli– Faleminderit, zoti Ministër!

/agjencia e lajmeve ‘Dyrrah”/