Durrës, 26 maj 2014 – Efektivët e policisë së Durrësit kanë regjistruar një denoncim pak të pazakontë. Një baba ka denoncuar vjedhjen e disa materialeve nga dyqani i tij, dhe këtë veprim e ka bërë as më pak e as më shumë por i biri i tij 18 vjeçar.

Shtetasi P.L., 55 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës është paraqitur tre ditë më parë në komisariatin e policisë. Para efektivëve të rendit, prindi ka rrëfyer se djali i tij 18 vjeçar K.L. ka shkuar në dyqanin që 55 vjeçari ka në lagjen nr.13 dhe aty ka vjedhur disa mallra, të cilat i ka shitur për skrap.

Duke iu trembur faktin se këtë veprim i biri mund ta përsërisë sërish, madje mund të vjedhë edhe dyqane të shtetasve të tjerë dhe paratë t’i përdorë për kushedi se çfarë, babai ka ndërmarrë këtë akt disi të pazakontë për një prind.

Efektivët e rendit, pasi kanë regjistruar denoncimin e 55 vjeçarit, kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 18 vjeçarin që akuzohet për veprën penale të ”Vjedhjes së kryer në bashkëpunim”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/