Durrës, 26 maj 2014– Policia e Durrësit ka prangosur mbrëmjen e së dielës dy punonjës të firmës Kapurani Trans, ndërsa ka shpallur në kërkim pronarin e kompanisë, 47 vjeçarin Foto Kapurani.

Pas njoftimit paraprak të shpërndarë një ditë më parë, policia ka bërë publik edhe identitetin e personave të përfshirë në trafik lëndësh narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

Policia njofton se “në datë 25.05.2014, ora 23.15, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Sotiraq Beçi, 29 vjeç, banues në Permet dhe Arjan Seferi, 31 vjeç, banues në Tiranë. Po kështu filloi proçedimi penal e po punohet për kapjen e shtetasit Foto Kapurani, 47 vjec, banues në Korçë”.

Sipas policisë, në një aksion të përbashkët të efektivëve të rendit të Tiranës, të mbështetur edhe nga kolegët e tyre të Durrësit, të mbajtur rreth orës 13.10, të së dielës u gjetën dhe u sekuestruan gjatë kontrollit të ushtruar në parkingun e kompanisë Kapurani Trans, në afërsi të mbikalimit të Fllakës, një çantë e zezë me pesë pako me lëndë narkotike të llojit Kanabis Sativa, me peshë 5 kg e 757.1 gramë, si dhe një armë automatike.

Sasia e lëndës narkotike dhe arma e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Tre shtetasit e sipërpërmendur akuzohen për veprat penale ”Prodhim e shitje narkotikësh” dhe “Mbajtje pa leje e armëve  luftarake”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/