Tiranë, 26 maj 2014 – Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, duke u ndalur tek realiteti politik, Basha u shpreh i vendosur të vazhdojë rrugën për të larguar, siç tha ai kartelin e drogës në qeveri dhe kryeministrin Rama. Basha paralajmëroi protesta të reja.
“Të premten u realizua barrikada më e madhe mbarëpopullore kundër narkotrafikut. Ne jemi shumë të inkurajuar për të zgjeruar aleancën tonë për të organizuar protesta të reja deri sa karteli i drogës të marrë arratinë. Nuk është betejë si çdo betejë, asnjë vend që ka luftuar me mafien dhe trafikun nuk ka fituar pa mbështetjen e qytetarëve”,- tha Basha.
Sipas Bashës, me paratë e pista që sjell narkotrafiku nuk mund të ketë integrim dhe zgjedhje të lira për vendin.
“Me qendrimet që ka pasur, kryeministri dhe kupola e tij qëndrojnë në krah të trafikantëve jo të popullit. Ai mban përgjegjësinë numër 1 në shndërrimin e Shqipërisë në bazë droge, ka mbyllur sytë. Ramës nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm të zgjedhë orën e largimit”,-nënvizoi Basha.
Ndërkohë në nisje të mbledhjes Basha përshëndeti fitoren e partive simotra europiane, për fitoren e zgjedhjeve. Fitorja e PPE, sipas Bashës nxisin Shqipërinë të vazhdojë betejën dhe ëndrrën për të qënë pjesë e zgjedhjeve në BE.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





