Tiranë, 23 maj 2014 – Qytetarë të shumtë nga të gjitha qytetet e vendit iu bashkuan protestës paqësore të opozitës, në sheshin përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkuan largimin e kryeministrit Rama. Ashtu siç ishte paralajmëruar, marshimi opozitar nga sheshi “Skënderbej” ka nisur rreth orës 11:00 me parullën: “Një popull në këmbë kundër drogës, Rama në shtëpi”.
Pas marshimit paqësor përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, të kryesuar nga deputetët e PD-së, protestuesve ju bashkua edhe kryetari i demokratëve, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Ndërkohë protestuesit mbanin në duar parulla të njëjta me ato të një jave më parë, që u hodhën përpara Parlamentit: “Shqipëria drejt Europës, jo drejt Kolumbisë”; “Ikni në shtëpi, ju s’na jepni siguri”; “Integrim, jo drogë”. Përballë protestuesve, në godinën e Kryeministrisë qëndronte një kordon policie, i përbërë kryesisht nga efektive ferma.
Ashtu sikundër u paralajmërua nga takimi i pak ditëve më parë i kreut të demokratëve me aleatët, në protestën e sotme ishin të pranishëm edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kreu i PDK, Nard Ndoka.
Pas fjalës së kryetarit të PD-së, i cili kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Rama, protestuesit janë shpërndarë qetësisht, ndërsa një pjesë e tyre kanë shprehur solidaritet me grevistët e urisë, që qëndrojnë prej tre ditësh në çadrat e ngritura pranë kryeministrisë. 13 grevistët e urisë, pjesë e shoqatës së të larguarve nga administrata, kërkojnë rikthimin në punë.
Partia Demokratike përshëndeti qytetarët që u bënë pjesë e protestës, ndërsa bëri të ditur se në Bulevard ishin 150 mijë pjesëmarrës.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





