Tiranë, 23 maj 2014 – Duket se është gati draft-ligji i ri nga ana e ministrisë së Financave. Draft ligji përcakton një sërë masash shtrënguese për të kufizuar lojërat e fatit.   

Ky draft e kthen Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit në autoritet, duke zgjeruar bashkëpunimin me institucionet e tjera dhe duke i dhënë kompetenca të plota dhe të qarta institucionit.

Sipas draft ligjit, për bastet sportive, tarifa për të marrë një licencë  do të 10-fishohet. Kështu nga 2 milionë lekë në vit që është aktualisht do të shkojë në 20 milionë lekë, ndërsa licencat do të jenë të kufizuara me afat 5 vjeçar.  

Rritje të tarifës së licencimit ka edhe për kazinotë elektronike, të cilat, nga 1 milionë lek në vit që paguajnë aktualisht, me ligjin e ri kjo tarifë llogaritet 25 milionë lek për çdo 5 vjet.

Kufizimi i sallave të lojërave për kazinotë apo pikat e basteve është një ndër pikat e ndryshuara në ligj. Kështu, sipas kushteve të reja, kazinotë kanë të drejtë të hapin vetëm një sallë për ushtrim aktiviteti, ndërsa për ato elektronike në total mund të hapen deri në pesë salla për ushtrim aktiviteti.

Për bastet sportive dhe bastet për garat në pistë kufizimi për një nipt sekondar është deri në 300. Bingot tradicionale mund të hapin deri në 10 nipte sekondare në total. Po kështu, ndryshime janë bërë edhe te kapitali që duhet të kenë shoqëritë që duan të përfitojnë një licencë, afati që u jepet kjo e fundit dhe tarifat që do të aplikohen.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/