·      Shkak për këtë rënie në vëllimin e punës është realizimi i mallrave të eksportit prej 455 239 tonë në janar-prill 2014 nga 536 369 tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2013 me një diferencë 81 130 tonë, ose 15 për qindësh

·      Probleme në eksport paraqesin minerali i hekur-nikelit, çimentoja, prokatet, kontejnerët

DURRËS, 22 maj 2014 –  Edhe pse janë importuar 24 536 tonë mallra më tepër se 4-mujori i vitit 2013, periudha janar-prill 2014 ka shënuar rënie prej 5 për qind (56 594 tonë) në totalin e vëllimit fizik të portit të Durrësit, pasi ka një diferencë të dukshme në eksporte prej 15 për qindësh, ose  81 130 tonë më pak (asnjë gram hekur-nikel, minuse të mëdha në çimento, prokate, kontejnerë).

Sipas statistikave zyrtare të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të shoqërisë publike / shtetërore Autoriteti Portual Durrës (APD) sha, gjatë periudhës 4-mujore 2014, në portin e Durrësit është kryer një vëllim përpunimi mallrash prej 1 036 581 tonë, kundrejt 1 093 175 tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar me një diferencë prej 56 594 tonë, ose 5 për qind më pak.       

Shkak për këtë rënie në vëllimin e punës është realizimi i mallrave të eksportit prej 455 239 tonë nga 536 369 tonë vitin e kaluar me një diferencë 81 130 tonë, ose 15 për qind më pak.        

Kurse në mallrat e importit janë përpunuar këtë vit 581 342 tonë, nga 556 806 tonë janar-prill 2013, ose 24 536 tonë më shumë (4 për qind).

Por ky tejkalim nuk zbuti dot deficitin e eksporteve, që vitin e kaluar, për periudhën në fjalë, zinte mbi 49 për qind të totalit, kurse në vitin 2014 eksportet zinin 44 për qind.

Një analizë e strukturës së mallrave të eksportit nxjerr në pah se në 4-mujorin e sivjetshëm janë nisur 42 930 tonë mineral kromi, 2 820 tonë koncentrat kromi  dhe 1 534 tonë ferro-krom, nga zero sasi 4-mujorin 2013.

Por kanë ndikuar për keq minerali i hekur-nikelit me minus 55 321 tonë; po ashtu më pak 34 211 tonë çimento dhe 10 323 tonë llamarinë e prokate nga Elbasani.

Tërheq vëmendjen fakti se ka rënie në vëllimin e punës me kontejnerë: 199 720 tonë janë realizuar në 4-mujorin 2014 nga 237 451 tonë vitin e kaluar me një diferencë 37 731 tonë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/