DURRËS, 22 maj 2014 – Një ekspert xhenier, pasi u njoh, me gjendjen kontabël të marsit 2008 në magazinat e ushtrisë në Memaj të Rromanatit (komuna e Rrashbullit), i tha “Dyrrah”-ut se një nga gjërat më të mira që ka bërë z. Gazmend Oketa, kur erdhi si ministër i Mbrojtjes, ishte evakuimi i 74 tonë e 967 kg tritol; 56 tonë e 272 kg heksogjen (T4 / RDX); 2,5 tonë amonit; 1 389 kg barut piroksilinë (shih dy faqe të faksimileve të gjendjes kontabël, që iu dha “Dyrrah”-ut nga eksperti).

Për shkak se fshati Rromanat ndodhet në rrugën automobilistike Plepa-Ndroq (shih hartwën satelitore me kufirin e fshatit), 6 km në vijë ajrore nga deti; 13 km nga Durrësi, në rast se shpërthente në vend të Gërdecit kjo sasi lëndësh plasëse, mund të shkaktonte një tërmet 7 ballë të shkallës Rihter, që do të trondiste Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Laçin, Lezhën, Peqinin, Gramshin, Fierin, Beratin etj.

Viktimat në zonat e banuara përreth (Romanat, Ndroq, Arapaj, Xhafzotaj, Rrashbull, Pjezë, Shijak, Plepa, Shënavlash, Gjepalaj, Sukth, Maminas, Marikaj, Vorë etj,) do t’i kalonin mbi 1 mijë te vdekur.

Po ashtu skenari i riskut parashikonte se do të shpërthenin disa rezervuarë me miliona metra kub ujë, do të shembeshin mbi 400 banesa, institucione, shkolla etj. deri dhe kullat binjake afër portit, kurse në det mund të shkaktohej ndonjë cunam.

Ky fakt u bë ditur pas rinisjes së hetimeve në prokurorinë e përgjithshme për Gërdecin, ku Akuza e Durrësit ruan kopje të dosjes voluminoze të ish-ministrit z. Fatmir Mediut, që mund të ndiqet penalisht.

Rreth këtij problemi është shkruar edhe në “Dyrrah”, por pa specifikuar shifrat (shih: http://www.durreslajm.com/speciale/durresi-dhe-tragjedia-e-gerdecit).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/