21 maj 2014 – Turqia tregoi se është dukshëm më e fortë se Kosova dhe pavarësisht mungesës së yjeve më të mëdhenj të ekipit, fitoi me rezultat 6:1, në ndeshjen miqësore ndërkombëtare në stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.

Mysafirët ishin shumë më konkret në lojën e tyre, kurse Kosovës i mungoi organizimi i lojës dhe mirëkuptimi mes futbollistëve në fushë, që edhe solli disfatën e thellë. Turqia kaloi në epërsi menjëherë në minutën e dytë nëpërmjet Ahmet Ilhan Ozek.

Disa pritje nga portieri i Prishtinës, Kushtrim Mushica ia mohuan golin e dytë Turqisë deri në minutën e 34-të, kur Bilal Kisa e dyfishoi avantazhin e mysafirëve.

Por, vetëm një minutë më vonë, sulmuesi Albert Bunjaku e realizoi golin e parë në histori për Kosovën duke ngushtuar disavantazhin, që edhe ishte epilogu përfundimtar i pjesës së parë. Pas intervalit, Turqia dominoi në tërësi dhe realizoi golin e tretë nëpërmjet Olcay Sahan, në minutën e 49-të.

Kurse, Mustafa Pektemek shtoi dy gola të tjerë në minutat 54 dhe 71, para se Alper Potuk të vendoste rezultatin përfundimtar me golin e tij nga penalltia në minutën e 87-të.

Përveç skuadrës së Kosovës që dëshpëroi me lojën e saj, të zbehtë ishin edhe tifozët në stadiumin që përveç rastit të golit të Bunjakut, nuk ishin të zëshëm sa duhet në përkrahjen e tyre. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/