Durrës, 21 maj 2014 – Inspektorët e xhenios kanë nisur paraditen e sotme të hapin vrimat për vendosjen e eksplozivit në pallatin e biznesmenit Enver Shala, i cili u bllokua pak ditë më parë nga INUK, pasi rezultonte të ishte ndërtim pa leje.
Prishja e godinës shumëkatëshe, në Shkëmbin e Kavajës, me shumë mundësi pritet të bëhet gjatë kësaj jave, megjithëse inspektorët e INUK nuk dinë ende të japin një datë të saktë, pasi shembja e kësaj godine me eksploziv kërkon një kujdes të veçantë, për faktin e thjeshtë se rreth e përqark saj ndodhen godina të tjera banimi.
Inspektorët e INUK kanë bërë të ditur se para shembjes së pallatit shumëkatësh me tritol, do të realizohet prishja e godinës 3-katëshe të planifikuar për bar-restorant. Kjo godinë, që rezulton të jetë ngritur po nga i njëjti pronar, Enver Shala, do të shëmbet me mjete të rënda.
Ndërkohë për vetë specifikën që paraqet, për shembjen e pallatit shumëkatësh, inspektorët e INUK synojnë që me eksplozivin e vendosur në godinë të shembin kolonat e saj dhe katet e larta, ndërkohë parashikohet që për shembjen e kateve të para të pallatit të operohet njësoj si me bar – restorantin, pra të shembet me mjete të rënda.
I gjithë procesi i vendosjes së eksplozivëve në ndërtesë është njdekur nga afër nga përfaqësuesi ligjor i kompanisë ndërtuese. Ai thjesht ka asistuar në këtë proces, pasi godina është një objekt pa leje, dhe për pasojë, ndërtuesit nuk mund të ndërmarrin asnjë hap ligjor për të kundërshtuar veprimet e INUK.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





