Tiranë, 21 maj 2014– Policia e kryeqytetit ka dhënë detaje të reja në lidhje me sasinë më të madhe të eksplozivit C4 që është arritur të kapet në vendin tonë. Si rezultat i këtij operacioni u arrit sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme prej 98 kg eksploziv c4, si dhe arrestimi në flagrancë i 4 shtetasve të cilët sipas burimeve nga policia janë ushtarakë, pjesë e Forcave të Armatosura.
Sipas burimeve nga policia të arrestuarit janë: Ilir Perikli Dhimo, 36 vjeç, banues në Krujë, kapiten tek asgjësimin i municioneve, Pëllumb Xhemal Daci, 46 vjeç, banues në Krujë, major në rezervë ish zv. komandant, Emild Kasëm Taku, 27 vjeç, banues në Tiranë, ushtarak tek batalioni i transportit, Artur Adem Çelo, 40 vjeç, banues në Tiranë, pjesë e ushtrisë.
Operacioni i një dite më parë, është finalizuar në rrugën “Sadik Petrela”, në Tiranë dhe gjatë tij janë sekuestruar:
• Eksploziv plastik C4 98 kg
• Fitil detonator 37 kg
• Ndezësa të minave 3744 copë
• Kapsolla detonatore 2927 copë
• Kapsolla detonatore elektronike 387 copë
• Kapsolla elektronike detonatore me trup bakri 101 copë
• Kuti plastike 521 copë
• Një sasi e konsiderueshme kapsolla detonatore të ndryshme
• 200 metër linear fitil zjarr përcjellës
• 2 Tamburo
• 2 tufa përcjellësi elektrik
• Si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh për armë si mitraloz, automatik model 56 si dhe pistoleta model TT.
Këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës gjatë momentit të shitjes së sasisë eksplozive C4 dhe gjatë ndërhyrjes policore kanë tentuar të largohen për t`ju shmangur arrestimit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





