Nga Ben Andoni

Ka aq shumë plehra që sjellin prurjet e lumenjve në zonën e Kepit të Rodonit, sa duhet ta mendosh mirë propagandën patetike për turizmin bregdetar shqiptar. Megjithatë, në këto ditë prag-sezoni, ajo “invadohet” nga vullnetarët që mundohen të pastrojnë dhe të tregojnë se diçka edhe mund të bëhet. Vetë banorët dhe peshkatarët vazhdojnë të patrazuar të përditshmen pasi e dinë mirë se situata nuk ndryshon, ashtu si nuk ndryshon dot menjëherë edhe mentaliteti i shqiptarit të zakonshëm që ndot apo vetëpërgjegjësia e pushtetit lokal për plehrat…

 Është e këndshme ta mendosh, që në ditët e para-sezonit turistik, të udhëtosh drejt Kepit të Rodonit. Jo për gjë tjetër, por sepse ajri i pastër dhe pak njerëzit që shkojnë atypari, të lenë ende ta shijosh i qetë fundjavën. Të ndodh që vinë dhe grupe të rinjsh të “sapo-fortë”, që bëjnë gara. Mjafton. Befas, edhe ata mposhten nga qetësia. Në një nga këto ditë, gjendemi përmes rrugës së re, që ka shtruar Fondi Shqiptar i Zhvillimit drejt dy objekteve të trashëgimisë, kalasë së Kepit dhe kishës së Shën Ndout. Tani, vërtetë, janë shumë më të prekshme. “A të vi dhe unë?”-shton. Zëri i një muratori lokal, që i kërkojmë këshillë sesi të mos gabojmë në udhën që lemë pas Shën Pjetrit, është i prerë. “Vetëm drejt. Kthehesh pak djathtas. Ndiq asfaltin!” Po ikën në një nga fshatrat të shikojë për një porosi, sqaron. “Po eci, e shtyva dhe këtë muaj!” Është i qetë dhe pas një fytyre të vrazhdë, fshihet një bukuri mashkullore, për të cilën është i ndërgjegjshëm. E tregon me duart dhe shpjegimet prej dendi lokal. Arrin. Ata që kanë kohë pa e përshkruar këtë vend do të zhgënjehen për mirë nga ndryshimi, peizazhi i mrekullueshëm dhe udha që përshkon mes tokave të punuara dhe kodrinave të qeta. Kepi, ky rripëz i vogël, që u përdor për të vetmen doganë në të gjallë të Skënderbeut, përbën edhe fundin e segmentit rrugor prej nga Fushë-Draçi që në vazhdim të rrugës të Gjirit të Lalëzit, përshkon edhe fshatrat Draç e Shetaj.

Ndotja

 Vërtetë, nuk ke shumë kohë ta admirosh peizazhin, pasi ajo që të pret është realisht një katrahurë mjedisore. Gjithsesi, në këtë ditë, një grup vullnetarësh të organizuar prej Tirana Express, mundohen ta lehtësojnë ndotjen e përhershme të vendit me aksionet e tyre të vazhdueshme. Disa syresh sapo e kanë nisur pastrimin, kurse të tjerë shullohen në një diell lojcak. Një fshatar i zonës ka bërë një kioskë në një tip vendi të boshtë dhe nga një çezmë që e ka jashtë, kontribuon dhe ai me të gjithë mbeturinat, që i derdh drejt e në det. Është “i justifikuar”, pasi poshtë çezmës notojnë pisllëqe të pafundme që përzihen me turili-lloj mbeturinash, të ardhur nga e gjithë zona e lumenjve të Shqipërisë së Mesme dhe të Lartë që shfryjnë lirisht mbi këtë vend. Fjalët shumë herë janë të pamjafta për të përshkruar korpusin e ndyrsillëqeve, që vinë nga provinca shqiptare dhe e mbarsin Adriatikun. Që prej plastikave të shumta, pisllëqet e lloj-lloj formave dhe përdorimeve, orendive të shkatërruara, pjesëve tyrililloj të makinave, gjërave të përdorimit të përditshëm, lodërzat etj., etj. Nëse nuk je kaq afër detit, patjetër se duhet të kesh pak siklet që shkel mbi të gjitha këto. Disa të huaj, që janë pjesë e këtij aksioni, vazhdojnë e shullohen në diell, derisa një djal vjen dhe i merr. Një banor që rri dhe i vështron të huajt dhe se kupton qetësinë e tyre më shpjegon sesi është radhuar peshku dhe sesi kjo dreq rruge do t’ua bëjë më të keqe jetën. Po rruga është zhvillim, i themi. “Shiko, kur të na e marrin të gjithë vendin, më thotë. Pse kot vinë këta të huajt!” Kujtoj Jalën. Po! Ka pak të drejtë. Por, këta, që janë këtu, s’kanë ardhur kot, por thjeshtë të pastrojnë. Të paktën. Si për ironi, atë ditë dëgjoj një zyrtar të turizmit, i cili ankohet për papastërtitë, kurse një tjetër i përvishet ministres Kodheli, që e përdori ushtrinë i thes për të mbledhur plehrat…Anipse, rrymat detare që i sjellin nga Durrësi dhe Bregu i Matit këto mbeturina s’duan t’ia dinë. Kanë shfryrë sërish. Peshkatarët, këta banorë të përhershëm të gadishullit, vazhdojnë e shpështjellin rrjeta të patrazuar. Dikush vjen me gomarin; dy bëjnë një tregti të vogël; një grua, bërtet si tek Çoçarja; të gjithë bashkë, shkojnë e vinë në pak metra katror…Në molin e vogël, ndërtuar fillimisht që në kohën e Karl Topisë, personazhet shkëmbehen pa e ndihur fare njëri-tjetrin. Pra, vullnetarët mbledhin plehrat dhe i fusin në thes, banorët kalojnë dhe vazhdojnë sikur të mos jenë fare aty…Fotografojmë mbi mol. 

Gjithkush mund të kontribuojë

 “Gjithkush mund të vi”, më thotë një burri i ri, që menaxhon të gjithë këtë aksion, që më shpjegojnë është e Tirana Express. “Të gjithë mund të ndihmojnë sepse të gjithë janë vullnetarë. Ne e bëjmë shpesh këtë punë”. Historia është e thjeshtë: Mbetjet që bashkohen prej përrenjve pranë fshatrave dhe komunave të pjesës qendrore të vendit lundrojnë qetësisht drejt Gjirit të Rodonit falë lumenjve të rrëmbyeshëm Ishëm dhe Mat, Lanës, e lumit të Tiranës, shtuar me përrenjtë e pafundëm të zonës së Fanit në veri. Të gjithë bashkë, sipas vlerësimeve të mjedisorëve, shkarkojnë në një nga zonat më të bukura bregdetare të vendit qindra tonelata pisllëqesh të çdo lloji. Të mendosh vetëm se riciklimi natyror i tyre do shekuj të bëhet. Po kush do t’ia dijë. Vetëm pak kilometra nga plazhi i Shën-Pjetrit mu në pjesën jugore të Gjirit të Lalëzit, tani Kepi shikohet thjesht si vend i këndshëm për të shtyrë kohën. Sa për të tjerat: Mjedisi dhe turizmi tek ne gjykohen si të ndara me njëra-tjetrën. Një djalë i gjatë amerikan kërkon sqarime. Megjithatë, Fondi i Zhvillimit, edhe për këtë vend ka menduar. Në fund se ka shtruar rrugën për të mbrojtur mjedisin, që për hir të së vërtetës, nuk u thotë shumë njerëzve që vine më barbeky dhe i plasin makinat nga t’u vijë për mbarë. Mungojnë tabelat orientuese, ku mund të disiplinoheshin makinat, kurse vullnetarët dhe të huajt, miq të Tirana Express, vazhdojnë e punojnë. Ascili nga vendasit s’u jep dorë. Për çudi, këta njerëz i qëndrojnë pak larg zhurmës që bëjnë shoqata të tjera që e shoqërojnë edhe aksionin më të thjeshtë me një bujë mediatike. Mundohem të ndihmoj djalin amerikan, që bënte fjalë pak më parë. Jep e merr të përcjelli një thes të zi deri në një vend, ku mblidhen plehrat. Nuk e zgjidh dot se ku i përcjellin pasi i grumbullojnë, por shpresoj ta kenë organizuar dhe këtë. Njerëz të shumtë që vinë, bëjnë thjesht fotografi, për qejf. Të huajt punojnë, shqiptarët sodisin detin. Në mes thasë të zi. Mbeturina.  Jam i bindur. Do jetë sërish e njëjta gjë! Indiferenca e tyre më bind. Duhet që puna më e madhe duhet bërë me pushtetin lokal, që të kufizohet hedhja e mbeturinave, i them amerikanit. Më aprovon dhe më thotë versionin e tij. Shumë pragmatik. Identifikoje! Dënoje! Gjobite! Ah, sikur, i them. Kë? Banorin. Zyrtarin. Banorët dhe peshkatarët përreth janë mësuar me pisllëqet, por me shumë me këtë situatë. Detyrohemi ta ndërrojmë rrugën me amerikanin e gjatë, sepse një peshkatar nuk na e hap…thjesht për qejf. Si ai, dhe të tjerë vazhdojnë e sorollaten kot, kurse turpin e zgjidhin duke i qesëndisur njerëzit që po pastrojnë. “Prapë e njëjta, gjë. Këta vinë e shtynë ditën. Unë dua të jetoj. Të kap ndonjë peshk, më thotë një peshkatar. Por dhe peshku ka rënë. Gjuajnë keq. Me hile…”. Po komuna? Ata janë mjaftuar me rrugën dhe tashmë e quajnë misionin e përmbyllur, ma pret një peshkatar.

Pak intermexo

 Jo shumë larg, nga këtu, vendi ka qenë i bllokuar. Deri te Kisha e Shna Ndout në Kep dhe Kalasë, pak më tutje, duhej të ishe ndokushi nga pjesëtarët e 14 reparteve, që kishin mbirë në këtë vend. Ushtarët e kishin të vështirë t’u shpjegonin njerëzve se izolimi i tyre kishte dhe lezetin e madh të qetësisë dhe përkorjes. Shenjat që e dëftojnë sot jetën ushtarake të kohës janë një ngrehinë dy katëshe krejt e shqepur dhe një ndërtesë, tip reparti i dikurshëm ushtarak njëkatësh, që është e shtrirë në fushëzën pas Kishës. Si kujtim, pak më larg, janë edhe bunkerët në grykën e kodrës, që shërbenin për fshehjen e topave të artilerisë detare, por edhe kupolat më të vogla, që tashmë po zhduken. E megjithatë, për gati 5000 banorët e zonës, gjërat duken mirë. Jo thjesht se i vizitojnë, por se mund të jenë më shumë në qendër të vëmendjes. Në fakt, zona duket bajagi e mbajtur dhe emigracioni e ka kthyer vendin në një zonë shumë të begatë. Banesat të japin vërtetë imazhin e ndryshimit, i cili shpresohet të jetë i shpejtë dhe i duhuri…Që e zbukuron disi edhe vija e Adriatikut. Mu mbi Shetaj, mund të shikosh Gjirin e Lalëzit apo dhe diku larg brigjet e gjirit të Drinit. Amerikani e ka ndërprerë punën dhe pushon sipas mënyrës së vet. 

Kalaja dhe kisha që jeton mbi plehra

Jo shumë larg vullnetarëve në mol, por duke u shmangur nga bregut të detit ndodhen rrënojat e manastirit të Shën Klarës. Një gojëdhënë thotë se këtu priti fundin Mamica, motra kanakare e Skënderbeut. Pranë është kisha e restauruar. Modeste. Restauratori Sulejman Dashi kur u gjeten tre skelete në hapësirën e kishës, hodhi idenë se ishte skeleti i Mamicës me fëmijtë e vet! U la. Interesant është edhe fakti se dy fshatra të Komunës së Ishmit, Biza dhe Draçi, janë katolikë dhe i kanë rezistuar myslimanizmit epidemik në Shqipëri. Ka pak gjëra që të tërheqin në kishë. Në absidën e saj mund të dallosh dy afreske me shqipen dykrenore dhe një grua kalorëse. Më 13 qershor, të gjithë banorët, pavarësisht besimit, mblidhen në një festë lokale duke imituar ritualet e kishës së njohur të Laçit. Pak më tutje, por rreth 15 minuta me këmbë, të duhet të arrish kalanë, që e sheh fillimisht nga maja e Kepit. Janë jo më shumë se 2.5-3 kilometra që përmban gadishulli dhe një sinjalistikë gati amatore të çon aty. Sa pak, dhe sërish ky vend është një mrekulli prej natyrës. Gjithsesi nga maja e kodërzës mund të kundrosh kalanë që është restauruar, kurse Kepin e frekuenton një grup i madh pulëbardhash që nuk pushojnë në çdo kohë së kërkuari prenë e tyre. Idilizmi mbaron shpejt. Sepse kur je përballë mureve, të punuara mrekullisht nga mjeshtrit e Raguzës, plehrat janë sërish të paimagjinueshme. Ato e kanë mbathur kalanë gati të braktisur, ku mungon gjithçka, për ta shënuar si të vizitueshme në pjesën tonë turistike.

Ndërsa natyra e ka ndryshuar shumë peizazhin e vendit, shqiptarët e kohëve moderne po i japin dërrmën e fundit. Dhe, sikur të mos mjaftojë, ajo që bën ushtarakët e Enverit, teksa ngacmonin kalanë dhe e shpërdoronin, tashmë vendasit dhe shqiptarët e tjerë e kanë mbathur vendin me mbeturinat që i sjellin lumenjtë: bidonët plastikë, mbetjet, hedhurinat, dhe lloj-lloj gjërash që e kanë fëlliqur krejt peizazhin. Alarmit ekologjik i përgjigjen shpesh dhjetëra të rinj nga kryeqyteti, që pastrojnë. Situata mbetet njësoj. Dikur si vend strehimi piratësh apo limani nga ku Skënderbeu udhëtoi në ndërmarrjen e tij ‘vigane’ kundër kundërshtarëve në Itali, sot mbetet një pikë turizmi zhgënjyese. Redoni, hyjnia lire, që e ka qejf në rrëfimet e tij Moikom Zeqo, se justifikon dot kurrsesi historinë e njerëzve të sotëm. 

E quajmë mision të pamundur të bësh një turizëm cilësor, ashtu si pretendon Shqipëria të bëje me kushtet që ka. Dhe, e ardhmja, po na afron me sfida, që duhet të fillojnë nga gjërat e lehta. Fillimisht me ndërgjegjësimin të mos bëjmë pis. Të paktën fqinjët po e kuptojnë dhe po e bëjnë kthesën shpejt. A janë vallë të ndërgjegjshëm njerëzit e turizmit tonë, për këtë? Në konferenca, po. Vullnetarët e kanë reshtur punën. Amerikani, me kapelen tipike të ekspeditave, shikon pa kuptim sikur të jetë ndonjë personazh te Haterasi i Zhyl Vernit. Ikim. Në rrugë, diku, pas pak minutash, muratori ynë ka shtruar muhabetin me dy banorë. Japin e marrin. Pranverë 2014.

Botuar në Revistën JAVA