Lënia me qira e një prone po bëhet e ardhur fitimprurëse në vendin tonë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se arkëtimet e tatimit mbi të ardhurat nga qiratë arritën në 60 milionë euro në vitin 2025 nga 55 milionë në 2024 me rritje 8.5%.

Ky tatim përkon me të ardhura që kapin vlerën e 400 mln eurove dhe me rritje rreth 8% gjatë një viti.

Këto zhvillime flasin për  zgjerimin të numrit të kontratave të deklaruara, si dhe një reflektim e rritjes së çmimeve të qirave në tregun vendas apo rritjes së vlerës së referencave.

Tatimet  aplikojnë çmimet e referencës për metër katror për tatimin mbi qiranë. Duke qenë se çmimet e apartamenteve sidomos në Tiranë dhe bregdet janë rritur ndjeshëm, shumë individë e kanë të pamundur blerjen dhe i drejtohen qirasë, duke rritur kërkesën dhe rrjedhimisht çmimet.

Një pjesë e madhe e stokut të banesave ka kaluar nga qira afatgjatë në qira afatshkurtër për turistët.

Të dhënat nga platformat e qirave ditore, tregojnë se në vitin 2025, jepeshin me qira 26 300 apartamente, nga 21 mijë në vitin parardhës. Kjo shifër përfaqëson gati 3% të totalit të njësive për banim në vend.