Milani është gati t’i thotë lamtumirë Rafael Leaos, por në drejtim të tij duhet të vijë ndonjë ofertë 40-50 milionë euro, një ofertë që për momentin nuk është. Portugezi është në kontratë me Milanin deri në 2028 me një pagë prej 7 milionë euros në vit. Sigurisht që në klub nuk duan ta shesin me çdo kusht sa të pranojnë edhe një çmim të ulët dhe për momentin merkatot e hapura janë ata në Arabinë Saudite, në Premier me mundësinë që ndonjë klub, ndoshta jo i elitës të vendosë të bëjë një tentativë për të ose Barcelona me këtë të fundit që edhe në të kaluarën e kishte kërkuar, por që nuk duket se është marrë nga entuziazmi i ndjekjes së portugezi.
Ka mundësi që Leao të jetë në listën e zëvendësuesve të mundshëm të Rashford në rast se anglezi do të kthehet te Manchester United, por sigurisht nuk është në krye të listës. Me fjalë të tjera, është e qartë se Leao nuk ka ngjallur shumë interes në merkato sa të krijohet një ‘garë’ mes klubeve për ta marrë dhe faji në këtë pikë është kryesisht i tij. Në Verona dha asistin për Rabiot, por për pjesën tjetër, u pa në nivelin që ka qenë gjatë gjithë sezonit. Allegri po përpiqet ta menaxhojë, në aspektin njerëzor dhe atë teknik si një baba i mirë familjeje dhe e përkëdhel edhe kur i duhet t’i shpjegojë se përse është gjithnjë ai që zëvendësohet i pari. Fërshëllimat në San Siro vulosën edhe fundin e durimit të tifozëve kuqezi me të. Por ideja që Milani të privohet lehtësisht prej tij është larg realitetit.
Po flitet për një sulmues që ka qenë i rëndësishëm në vitet e fundit për kuqezinjtë dhe, edhe në këtë sezon të turbullar të shoqëruar nga dëmtimet dhe rënia e formës ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë 3 asist duke luajtur në një pozicion që nuk është mësuar ta mbulojë. Botërori me Portugalinë do të jetë një shans shumë i mirë për t’u rishfaqur dhe në këtë pikë, Milani do të bëjë vlerësimin nëse do t’i japë edhe një shans tjetër, apo do të pranojnë ofertat për të, të cilat nëse Leao do të bëjë paraqitje të mira në evenimentin më të rëndësishëm futbollistik, do të jenë të shumta.





