Tiranë, 5 maj 2014 – Autoritetet më të larta shtetërore kanë përkujtuar sot 5 majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut. Pranë memorialit “Nënë Shqipëri”, te Varrezat e Dëshmorëve u zhvilluan homazhet e rastit. Ashtu si çdo vit, mazhoranca e opozita nuk u bashkuan as në këtë ditë. Asnjë përfaqësues i opozitës nuk merrte pjesë në ceremoninë zyrtare. U vu re edhe mungesa e kreut të Shtetit, Bujar Nishani, i cili mësohet se do zhvillojë sot homazhe në memorialin e dëshmorit Feti Vogli në Baldushk.
Rreth orës 10:00, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli, por edhe politikanë e zyrtarë të tjerë mbërritën te Varrezat e Dëshmorëve, ku zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë memorialit, si dhe u përulën në nderim të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Në homazhe merrnin pjesë edhe ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, ai i Britanisë Nicholas Cannon, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Jeronim Bazo, prefekti Sadi Vorpsi etj.
Pas homazheve kreu i Kuvendit Ilir Meta e cilësoi 5 Majin një ditë të jashtëzakonshme për të nderuar veprën e dëshmorëve që sakrifikuan jetën për Shqipërinë.
“Kjo është një ditë e jashtëzakonshme, është dita e dëshmorëve, dita e atyre që sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, në emër të lirisë dhe dinjitetit të çdo shqiptari. Ditë ku të gjithë përulemi me mirënjohje para veprës së Qemal Stafës, Vojo Kushit, Margarita Tutulanit, dhe mijëra e mijëra dëshmorë që i dhanë Shqipërisë gjakun, ëndrrat dhe jetën e tyre”,-u shpreh Meta.
Opozita kryen homazhet, Basha: Nderim për dëshmorët e Atdheut
Opozita i zhvilloi homazhet në Varrezat e Dëshmorëve rreth mesditës. Kurora me lule pranë monumentit "Nënë Shqipëri" vendosën Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, deputetë, përfaqësues të partive të ndryshme opozitare. Pas nderimit për të rënët për lirinë e Atdheut, Basha u shpreh se kjo ditë i kushtohet dëshmorëve të kombit, bijve dhe bijave të Sqipërisë, të cilët u flijuan për idealet e larta kombëtare të bashkimit kombëtar, dinjitetit të shqiptarëve dhe demokracisë.
"Sot 70 vite pas përfundimit të luftës, kujtojmë gjithashtu se u deshën dekada të tëra që liria të vinte vërtetë për shqiptarët",- u shpreh Basha.
Kreu i PD-së, kujtoi me këtë rast edhe dëshmorët e rënë për pavarësinë e Kosovës, pjesës tjetër të kombit.
"Duhen akoma përpjekje në nderim të sakrificës së tyre për konsolidimin e idealit të lirisë. Detyra jonë nuk është vetëm të nderojmë, por të bëjmë çdo përpjekje për t'i shërbyer shtetit ligjor dhe për të çuar përpara ëndrrën e tyre për një Shqipëri demokratike dhe europiane",- u shpreh Basha.
5 Maji, e njohur si Dita e Dëshmorëve të Kombit dhe Atdheut përkujtohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe trevat e tjera shqiptare në shenjë nderi për këto njerëz që sakrifikuan jetën e tyre për atdheun në luftërat duke nisur nga Lufta e Dytë Botërore, luftërat e UÇK-ve dhe UÇPMB-së.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





