Tiranë, 5 maj 2014 – Bujar Nishani nuk do e firmosë ligjin e ndryshuar për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, shkruan sot "Panorama".
Qëndrimi i Presidentit vjen pasi mazhoranca vendosi që t’ia heqë atij të drejtën për të propozuar kandidatët për kreun e këtij institucioni.
Iniciativa e një grupi deputetësh të maxhorancës prek nenin, që përcakton mënyrën se si propozohet kandidati për kryeinspektor, duke ia hequr këtë të drejtë Presidentit dhe duke ia dhënë Parlamentit. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se kreu i Shtetit është duke përgatitur shpjegimin që do t’i bashkëngjisë dekretit për rishqyrtimin e ligjit.
Mazhoranca e bëri këtë ndryshim duke argumentuar se nuk është një e drejtë kushtetuese e Presidentit, që ai të zgjedhë edhe kreun e ILDKP.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





