Tiranë, 4 maj 2014 – Në dy javët e fundit të muajit maj, nxënësit e klasave të nënta në të gjitha shkollat e vendit duhet të bëjnë regjistrimin paraprak për në gjimnaz. Përpara kryerjes së regjistrimit, nxënësit duhet të kenë përzgjedhur lëndët me zgjedhje që do të japin në klasën e dhjetë, që përkon me vitin e parë të shkollës së mesme. 

Secili prej tyre duhet të plotësojë në shkollën përkatëse formularin e lëndëve me zgjedhje, që janë dërguar nga gjimnazet në shkollat 9- vjeçare. Pasi të plotësohen, bashkë me regjistrimin, këta formularë do të dërgohen në gjimnazet ku nxënësit duan të ndjekin shkollën e mesme. Nxënësit e klasës së 9-të që nuk kanë ndër mend të ndjekin gjimnazin e zonës, por një tjetër, duhet t’i sigurojnë vetë formularët e gjimnazit ku dëshirojnë të shkojnë. 

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, kurrikula me zgjedhje të lirë duhet të jetë e përshtatshme për të tria nivelet e nxënësve. Në veçanti, kurrikula me zgjedhje të lirë duhet të përmbajë oferta edhe për nxënësit e notave 5-6. 

Regjistrimi paraprak i nxënësve në klasën e dhjetë të gjimnazit do të kryhet në dy javët e fundit të muajit maj. Në gjashtë ditët e para kanë të drejtë të regjistrohen në klasën e dhjetë të një gjimnazi publik vetëm nxënësit që u përkasin shkollave 9-vjeçare të zonës së gjimnazit. Ndërsa në katër ditët pasuese kanë të drejtë të regjistrohen edhe nxënës që u përkasin shkollave të zonave të tjera.

“Regjistrimi paraprak i nxënësit në klasën e dhjetë bëhet me këto dokumente: çertifikata e lindjes së nxënësit; formularët e plotësuar për lëndët me zgjedhje”,-sqaron udhëzimi. 

Dy javë para fillimit të vitit të ri shkollor, nxënësit duhet të regjistrohen përfundimisht në klasën e dhjetë duke paraqitur si dokument Dëftesën e Lirimit. Ata do të kenë në dispozicion pesë ditë kohë për regjistrimin në gjimnaz.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/