Tiranë, 4 maj 2014 – Pak ditë më parë, në media u publikuan foto nga ambientet e brendshme të vilës së diktatorit Enver Hoxha në ish-Bllok. Pas shumë kohe, vila u rihap me rastin e performancës artistike të disa artistëve shqiptarë.
Por a kanë ndryshuar ambientet e brendshme të vilës, nga koha siç kanë qenë kur aty banonin anëtarët e familjes Hoxha?
Njëra nga pjesëtaret e familjes, Teuta, nusja e djalit të madh Ilirit, në një intervistë për suplementin “Unë gruaja” në gazetën “Panorama” flet për atë çfarë është ndryshuar në vilën e ndërtuar në vitin 1973 e ku familja jetoi deri dy ditë pas rënies së bustit të Enver Hoxhës. Teuta flet edhe për mendimin e anëtarëve të familjes Hoxha për planin e qeverisë për ta kthyer këtë shtëpi në muze.
Së pari, besoj të gjithë do jenë kuriozë të dinë se si e shohin sot shtëpinë, ata që e kanë ndërtuar e arreduar sipas shijes së tyre…?
E para gjë që duhet thënë, është se shtëpia ishte krejtësisht e tjetërsuar, kështu që nuk mundet veç se të të lërë shije jo të mirë. Ishte tërësisht e përmbysur. Vërtet që mobilet kryesore, siç mund të jenë dollapët, biblioteka apo disa kolltukë mund të jenë ato që kanë qenë, por i gjithë sistemi i shtëpisë ishte tjetërsuar bashkë me orendi të tjera, që thonë se kanë qenë tonat. Nëse duan ta hapin apo ta kthejnë në muze, le ta bëjnë, ne jemi shumë dakord me këtë ide, por ta bëjnë vetëm nëse janë të zotët ta kthejnë gjithçka si ka qenë më parë. Një ambient jo i rënduar, jo lukzos siç u tha në fillim të viteve ’90-të, por një ambient, ku mund të rrije e jetoje shumë mirë. Gjithçka në shtëpi, jo vetëm në të po kudo, tregon për mënyrën e jetesës së banorëve të saj. Edhe përmes objekteve bëhet i njohur personaliteti i tyre, çka kurrsesi nuk tregohej me aq sa pashë në media nga Vila 31.
Sidoqoftë, një farë tjetërsimi do pësonte edhe për shkak të formës e idesë që donin të përcillnin organizatorët e ngjarjes artistike që u zhvillua në të…
Ajo nuk ishte ideja e grupit të organizatorëve, ka qenë ideja e kryeministrit Rama. Ai vetë e ka shprehur në një intervistë për Hans Ulkich Obrist në shkurt të këtij viti, se Hoxha do ta urrente një artist bashkëkohor në rezidencën e tij. Ka thënë gjithashtu në të njëjtën intervistë që do ta kthejë këtë shtëpie në një vend për gjithkënd që Hoxha do ta urrente ta kishte rrotull. Ky ç’bunkerizim që ai thotë se do të bëjë, është vetëm një ndjenjë triumfi që ai do t’i tregojë shoqërisë se ka arritur ndaj diktaturës. Por me keqardhje them që u kujtua pak vonë për ta bërë këtë, por si duket i ka ngelur fobia ndaj figurës së Enver Hoxhës.
Në fakt shtëpia e mbyllur ka qenë…
Shtëpia nuk ka qenë asnjëherë e mbyllur. Ai priste qindra njerëz në të për të mos folur pastaj për ditën që vdiq, kur erdhën mijëra njerëz. Natyrisht që nuk shëtitën nëpër shtëpi, por patën mundësi ta shihnin. Në po atë ditë janë shërbyer mijëra kafe e për këtë u bë dhe ‘gjyqi kafeve’ të Nexhmijes, të cilin njerëzit e njohin. Por përveç këtyre njerëzve që ishin nga shtresa të ndryshme shoqërore, vinin sa e sa intelektualë që kërkonin të njiheshin me librat, me bibliotekën e tij.
Atë darkë që u hap shtëpia, njerëzit ndalonin më gjatë pikërisht te bibliotekat. A ishte ajo ashtu siç ka qenë?
Duhet të dini së pari që biblioteka ka pasur 25 mijë libra. Siç edhe e patë, ajo çfarë ka mbetur nuk krahasohet me këtë shifër. Përveç se ishin të gjitha të vendosura keq, të gjymtuara. Kur ne jetonim në atë shtëpi, nuk përthyhej asnjë fletë libri, aq me kujdes trajtoheshin, por ata që kanë vënë dorë më vonë, me siguri nuk kanë kaluar libra nëpër duar. Sepse është pikërisht kjo ajo që dua të them, duke tjetërsuar gjëra kaq të rëndësishme të shtëpisë, biblioteka ishte më e rëndësishmja për të, ti tjetërson njeriun, mënyrën e jetesës. Po e them sërish, bëje muze, hape për të gjithë, por bëje siç duhet. Ai dhe të gjithë, e dinë shumë mirë që u shkatërrua gjithçka, çdo objekt që nga muzeu “Enver Hoxha”, humbja e ditarëve të tij, e deri te përvetësimi i filmave familjarë, që i mori ai që pati mundësi t’i merrte. Prandaj, mos të dali të thotë që ka provuar një shije banale, kur e ka parë vetë vilën më vonë, por të pyesë së pari si ka qenë.
Si ka qenë? Çfarë konkretisht ishte tjetërsuar përveç bibliotekës?
Gjithçka. Ajrin e një shtëpie a të një ambienti secili e percepton që në momentin e parë që shkel në të. Mobiliet, në masën më të madhe mund të jenë vërtetë ato, por kaosi nuk ka asnjë lidhje me realitetin e dikurshëm. Mund të duket banale tani të merremi me të gjitha detajet, por janë realisht të tjetërsuara.
/gazeta “Panorama”/





