Itali, 4 maj 2014 – Policia kufitare e Portit të Barit, në bashkëpunim me kolegët e tyre nga qyteti i Lukës, arrestuan Oklid Çelën, 26 vjeç, të shtunën në mëngjes sapo zbriti nga trageti i linjës Durrës-Bari.

Oklid Çela ishte i vetmi shqiptar, që shpëtoi pa u arrestuar në kuadër të operacionit  “Ramazan”, të koduar sipas emrit të vëllait më të madh të Oklidit.

Ky operacion u zhvillua në qershor 2008 kundër trafikimit të kokainës puro të ardhur nga Hollanda dhe Ballkani.

Gjatë operacionit u arrestuan 20 persona, ndër të cilët edhe vëllai i Oklidit, Ramazani si edhe shqiptarët Artur Lamkja, Leonard Xeka, Andrea Kuqja, Alban Sulkja, Edison Gashi dhe kosovari, korrier kokaine, Judmir Mezini.

Oklidi, kur zbriti nga trageti i ardhur nga Durrësi, ishte pajisur me një pasaportë biometrike shqiptare falso, duke fituar një identitet të ri.

Fatmirësisht informacioni nga Shqipëria ishte i saktë dhe pas thellimit të hetimit u provua katërcipërisht se bëhej fjalë pikërisht për Oklid Çelën.

Mbi të rëndon edhe një dënim me tre muaj burg për plagosjen e një shqiptari në 29 gusht 2009, në qytetin e Lukës.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/