Spanjë, 4 maj 2014 – Edhe pse mungon zyrtarizimi, Tata Martino duket se është duke përgatitur terrenin për të dhënë lamtumirën. Barazimi i minutës së fundit, 2-2 me Getafen i nxori blaugranat jashtë betejës për titullin dhe trajneri argjentinas mori përsipër të gjithë përgjegjësinë jo vetëm për këtë rezultat, por për të gjithë sezonin e Barçës.

“Jam unë përgjegjësi kryesor dhe jo lojtarët për këtë sezon negativ të Barcelonës. Më duhet ta theksoj se i kam parë djemtë të japin maksimumin për skuadrën e tyre”,- tha Martino.

A ndihet ende i lumtur dhe a do të ketë një mundësi të dytë për Martinon te klubi katalanas? Këtu argjentinasi jep sinjale të qarta se është duke bërë gati valixhet.

“Nuk është çështje lumturie, por realiteti është që nuk kemi fituar asnjë titull dhe në asnjë moment nuk kemi treguar versionin më të mirë të Barçës. Në lidhje me të ardhmen time, mund të them se në jetë ka disa momente kur nuk mund ta kërkosh një mundësi të dytë. Se çfarë do të bëj e kam në mendje, por ka kohë deri në fund të sezonit për të folur”,- tha ai.

Ashtu si Martino, edhe Xavi deklaroi se tani Barcelonës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë autokritikë dhe të nisë planet për sezonin e ardhshëm, pas një fushate zhgënjyese duarbosh.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/