DURRËS, 4 maj 2014 –  Biznesi nuk pyet për luftë, teksa kombinati metalurgjik i Elbasanit siguron skrap rus në skajin verior të Evropës, duke përdorur anije me pronar ukrainas në Odesa.

Kështu “Kurum”-i turk mban në punë edhe punonjësit e vet të çelikut edhe hekurudhën shqiptare në Durrës që shfrytëzon degëzimin industrial në Terminalin Lindor, me koncesionar gjermanët e EMS APO-s.

Rreth datës 9 maj 2014 parashikohet në bregëzohet në kalatën nr. 11, në Terminali Lindor (EMS APO), anija e mallrave “Calypso” me 12 000 tonë për llogari të grupit metalurgjik turk “Kurum”.

Gjithë sasia do të transportohet me trena të specializuar me vagonë vetëshkarkues.

Deri në orën 10:00 transportuesi ndodhej në oqeanin Atlantik drejt ngushticës së Gjibraltarit.

Më 25 prill 2014 anija “Calypso” u nis nga porti rus i Shën Peterburgut, ku kishte mbërritur më 16 prill 2014 për ngarkim.

Menaxhere dhe pronare e anijes, e regjistruar në Belize, është kompania PROFY me seli në Odesa, Ukrainë.

“Calypso” është ndërtuar në vitin 1995 në kantierin detar të Shikoku-t në Japoni dhe u klasifikua nga shoqëria japoneze Nippon Kaiji Kyokai.

Ka një peshë të vdekur prej 18 233 tonë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/