Durrës, 3 maj 2014 – Dështon aksioni i INUK, që do të zhvillohej sot për prishjen e karburanteve, përgjatë rrugës dytësore në aksin Durrës-Golem. Mungesa e verifikimit të dokumentacionit më herët për secilën nga pikat e karburanteve, bëri që aksioni të shtyhet për një afat tjetër.
Sipas një konstatimi paraprak të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve këto objekte që ngrihen në rrugën paralel me autostradën nuk zotërojnë leje, ndërkohë që krijojnë problematikë të theksuar në qarkullimin rrugor përmes hyrje-daljeve të paligjshme dhe trafikut të ngarkuar në autostradë.
Puna e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar nisi në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku u bllokua karburanti i parë, pronarët e të cilit pretenduan se e kanë të rregullt objektin dhe ushtrojnë veprimtarinë konform ligjit.
Gjatë këtyre ditëve, inspektorët e INUK-ut pritet të evidentojnë të gjitha karburantet e ndërtuara kryesisht buzë rrugës dytësore dhe pas verifikimit të dokumentacionit të secilit objekt do të ndërhyhet për prishjen e objekteve pa leje.
Nga Plepat deri në Rrogozhinë janë rreth 20 pika karburantesh që janë ndërtuar gjatë viteve të fundit dhe shumica e tyre gjenden fare pranë rrugës dytësore, duke mos respektuar kriteret e përcaktuara me ligj për distancën nga rruga.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





