Durrës, 1 maj 2014 – Një grabitje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në një supermarket në qytetin e Durrësit, në lagjen nr.18, përballë Urgjencës së Spitalit rajonal. Sipas policisë, grabitja është regjistruar rreth orës 20.10 dhe është kryer nga një person i maskuar dhe i armatosur. 

Grabitësi ka arritur të marrë xhiron ditore të supermarketit dhe është larguar me të shpejtë nga vendngjarja. E pranishme në momentin e grabitjes ishte vetëm arkëtarja, e cila nën kërcënimin e armës i ka dhënë sasinë e parave që kishte në kasë grabitësit.

Mësohet se policia e Durrësit ka shoqëruar një person, i cili dyshohet të jetë autori i grabitjes, megjithëse ai deri tani ka refuzuar të pranojë se është ai autori i kësaj vepre penaleë. 

Policia është duke ekzaminuar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të supermarketit për të zbuluar identitetin e autorit të kësaj grabitjeje. Ndërkohë në pyetje është marrë edhe kasierja, dëshmia e së cilës pritet të hedhë më shumë dritë mbi dinamikën e kësaj grabitjeje.

agjencia e lajmeve “Dyrrah”/