Durrës, 1 maj 2014 – Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar lidhur me një konflikt të ndodhur një natë më parë në qytetin e Fushë Krujës, në të cilin janë përfshirë një qytetar dhe një punonjës policie, por që në ato momente nuk ishte në shërbim.

Sipas policisë rreth orës 20.30 të mbrëmjes së djeshme, në Fushë Krujë janë konfliktuar për parkimin e një automjeti shtetasit; Edmond Shehu, punonjës policie i rolit bazë në Stacionin e Policisë Fushë Krujë dhe qytetari Bardhok Ujka, banues në Fushë Krujë. Mësohet se të dy këta shtetas janë fqinjë, pasi banojnë në të njëjtin pallat. Policia nënvizon faktin se në momentin e konfliktit, polici nuk ishte në detyrë dhe ishte i veshur civil.

Sipas policisë, të dy shtetasit, pasi kanë debatuar me njëri-tjetrin janë paraqitur pranë Stacionit të Policisë Fushë Krujë.

Meqë një nga personat e përfshirë në konfikt ishte punonjës Policie, policia ka ndjekur procedurat standarte që ndiqen në këtë rast. Prokurori i gatshëm autorizoi një Oficer të Policisë Gjyqësore që të merrte denoncimet e palëve të përfshira në konflikt.

Sipas policisë, në deklarimin e lëshuar me vullnetin e tij të lirë dhe të nënshkruar prej tij para OPGJ, shtetasi Bardhok Ujka është shprehur se është konfliktuar me shtetasin Edmond Shehu në kohën kur ky i fundit nuk ndodhej në detyrë dhe civil. Sipas Ujkës konflikti është zgjidhur mes palëve dhe ai nuk pretendon ndjekje ligjore të mëtejshme të rastit.

Por mëngjesin e sotëm, qytetari Ujka ka denoncuar në media faktin se është dhunuar nga polici Shehu dhe ka kërkuar që organet e drejtësisë të marrin masa ndëshkimore ndaj tij. Ujka pretendon se është goditur dhe është gjakosur nga polici Edmond Shehu.

Nga ana e saj, policia e Durrësit thekson në njoftim se “fton qytetarin Bardhok Ujka, që pretendimet e ngritura në media t’i paraqesë para organit të akuzës”. Sipas policisë, “pretendimet e ngritura në media nga Ujka përbaltin punën e Policisë së Fushë Krujës në marrjen e kallëzimit dhe ndjekjen e rastit”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/