Kosovë, 1 maj 2014 Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Naser Osmani është dorëzuar në Policinë e Kosovës. 

Burime brenda policisë sqaruan se ai ka hyrë në Kosovë në orën 6.30 minuta të mëngjesit. Menjëherë ai është kapur nga policia dhe po merret në pyetje nga hetuesit policor në stacionin kryesor të policisë së Kosovës. 

Osmani është pjesë e grupit prej 17 zyrtarëve të tjerë të dyshuar për një varg veprash penale që ndërlidhen me privatizimin e fabrikës së armaturës në Podujevë. 

 

Deputeti që luajti film

Deputeti i arrestuar i LDK-së, Naser Osmani, dikur ka luajtur një rol në filmin "Djelmoshat e rrezikshëm" të regjisorit Halil Budakova.

Pikërisht në një skenë të filmit, Naser Osmani në rolin e efektivit të rendit arreston një person i cili mbante një armë pa leje.

Deputeti i LDK-së në këtë film shihet në shumë skena si polic civil.

Osmani me profesion është ekonomist, ndërsa më parë ishte anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Pikërisht për kohën kur punonte në këtë institucion, ai dyshohet se ka shpërdoruar detyrën zyrtare dhe ka dëmtuar shtetin.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/