Nga Gjergj Thanasi

SHBA, 1 maj 2014 – Gazeta amerikane “The Blaze” bën një investigim mjaft të gjerë dhe gjithpërfshirës për sulmin terrorist në Bengazi të Libisë, më 11 shtator 2012. Në këtë sulm u vranë katër zyrtarë amerikanë, përfshirë dhe të ndjerin Chris Stevens, ambasador i SHBA-së në Libi në atë kohë.

Në pjesën e tretë të këtij investigimi hidhet dritë mbi eksporte të armëve dhe municioneve shqiptare nga aeroporti i Rinasit për në Bengazi, në 11 shtator 2011, tashmë kur Muammar Gaddafi ishte ekzekutuar dhe regjimi i tij kishte rënë. Eksporti i armëve shqiptare ishte kryer gjoja për llogari të Emirateve të Bashkuara Arabe. Për transportin e këtyre armëve nga Rinasi për në Bengazi ishin përdorur avionë transporti të një firme private armene me lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes të Armenisë si dhe me shërbimet sekrete sovjetike më parë dhe ruse më vonë.

Sipas artikullit, krahas municioneve stok shqiptare (800 000 fishekë mitralozi kundërajror kalibër 12.7 tip DSHK (Dushka), në avionët armenë janë ngarkuar edhe predha antitanke tip RPG, prodhim ukrainas të fillimit të viteve 2000. Ndonëse Gadafi ishte ekzekutuar, ndonëse kishte embargo armësh ndaj Libisë, të tilla armë e municione shqiptare dhe ukrainase, të tranzituara nga Shqipëria, vazhdonin të “përmbytnin” Libinë.

Kujtojmë se raketa tip RPG model PG 7 VR, prodhim modern ukrainas, kanë një kapacitet penetrues në çelikun e mjeteve të blinduara deri në 600 mm mbi 2,5 herë më shumë se predhat e vjetra antitank për RPG 7. Pikërisht të tilla municione u përdorën gjatë sulmit mbi aneksin e CIA-s, afër Konsullatës Amerikane në Bengazi në 11 shtator 2012 (ne foto).

Gazetarët e “The Blaze” nëpërmjet shumë burimeve të mirëinformuara në Penntagon, në Departamentin e Shtetit si edhe në Libi e Shtutgart (ku gjendet komanda e forcave amerikane për Afrikën), ka zbuluar mekanizmin se si këto armë e municione përfshirë dhe ato të eksportuara nga Rinasi përfunduan në duart e grupeve terroriste të lidhura me Al Kaedën si psh Brigada Ansar Al Sharia apo Brigada 17 shtatori etj. etj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/