Itali, 1 maj 2014 – I edukuar dhe elegant, edhe kur tregon se ka vrarë dy persona. Të vetmit që nuk i thotë gënjeshtra është avokati i tij, Massimiliano Orru.

Kështu e përshkruajnë mediet italiane, Dritan Demirajn, shqiptarin që akuzohet për vrasjen e dyfishtë të ish-të dashurës dhe të fejuarit të saj, ndërkohë që dyshohet se ka vrarë edhe kushëririn e tij, Klodian Dine.

Në Shqipëri merrej me boks dhe ka fuqinë e një demi. Mbërriti në Itali në vitin 2006, ku u prit nga xhaxhai i tij peshkatar, që e ka mbrojtur gjithnjë.

Në një sallë lojërash fati njohu atë që do të kthehej në “dashurinë e jetës së tij”, italianen Lidia Nusdorfi. Çifti, bashkë me fëmijën e Lidias, jetoi në shtëpinë e xhaxhait të Dritanit, derisa Lidia mbeti shtatzënë për herë të dytë.

Tashmë Dritani kishte nisur punë si pastiçier, kështu që u transferuan në një apartament të vogël. Vazhdon të jetë i dashuruar marrëzisht pas Lidias, por kjo nuk e pengon t’i “vërë” dorë. Në verën e 2013-ës ajo e tradhton me kushëririn e tij, në mars të këtij viti Dritani vret Lidian dhe Silvio Mannina-n, të dashurin e saj të ri. Kështu merr fund kjo histori pasioni dhe xhelozie.  

“Kush gabon, paguan”

Kjo është shprehja që i pëlqen të përsërisë shpesh Dritani. Duket se nuk është penduar për vrasjen e të dashurës së tij, pasi ku pyetet nga hetuesit përgjigjet ftohtë “Ajo e meritonte të vdiste”.

“Bëra atë që duhej bërë”,-thotë ai para hetuesve. Këta të fundit kanë vënë re, se Dritan Demiraj e flet thuajse në mënyrë perfekte italishten, ndërsa mënyrat e të sjellurit i ngjajnë atyre të një xhentëllmeni. Jep shumë detaje për vrasjet, deri tek ato më të rëndat, fare i patrazuar, sikur të mos i ketë kryer vetë dy krimet për të cilat akuzohet. 

Kur shkoi në Rimini bashkë me hetuesit për t’u treguar vendin se ku kishte groposur Silvio Mannina-n lëvizte në zonë sikur të ishte gjeolog.

“Më vjen keq për të, – thotë ndërsa në pulset e duarve ka prangat,- ishte i vetmi që nuk kishte lidhje me këtë histori”. Ndoshta e vetmja keqardhje për atë çfarë ka kryer me gjakftohtësi atë natë marsi.

Dua të takoj fëmijët

Sipas hetuesve, që po merren me zbardhjen e krimeve të kryera prej tij, më shumë sesa vrasës, Dritan Demiraj duket si drejtësi-bërës, sepse vret ngaqë të gjithë presin prej tij këtë gjë.

Dy ditë pas rrëfimit të vrasjes së 30 vjeçarit Silvio Mannina ishte i qetë dhe në paqe me veten.

“Do të shkoj në burg i nderuar”,- mësohet të ketë thënë. Të vetmit për të cilët e ka marrë malli janë fëmijët e tij, pika e tij e dobët. Kërkon t’i shohë menjëherë. Është e vetmja kërkesë që ka bërë, ndërsa ndodhet në izolim.

/m.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/