Librazhd, 1 maj 2014 – Një krim sa i rëndë dhe i pazakontë ka ndodhur të mërkurën në fshatin Kuturman të Komunës Qendër të Librazhdit. Një nëne e re sipas policisë lokale ka mbytur foshnjën e saj 6-javëshe me jastëk dhe më pas është munduar që ta fshehë këtë krim makabër, i cili sipas policisë është kryer brenda në banesë nga 30-vjeçarja Oriola Lleshi (Radiçi). Dyshohet se ajo prej kohësh kishte kaluar në depresion, gjendje e cila është rënduar edhe më tepër pas lindjes së fëmijës së dytë, të cilit i kishte vënë emrin Mateo. 

Për këtë fëmijë ajo është akuzuar nga bashkëshorti se e kishte sjellë në jetë pas një lidhjeje jashtëmartesore me një adoleshent të fshatit. Bashkëshorti i saj prej dy vitesh jetonte në emigracion dhe nëna e re ishte thuajse e braktisur si nga ai, edhe nga prindërit e saj, që jetojnë në fshatin Karkavec.

Ajo pranoi dje para ekspertëve hetimorë se e kishte kryer vrasjen e foshnjës së saj në kushte të rënda depressive. Gruaja ka shprehur pendesë për krimin e rëndë teksa ka pranuar se fëmija nuk ishte i bashkëshortit të saj, por fryt i një historie dashurie që ajo e kishte nisur me një djalë shumë më të ri në moshë se ajo.

“E mbyta djalin me jastëk sepse doja të shpëtoja martesën time dhe situatën ku ndodhesha. Nuk doja të ndahesha nga bashkëshorti im, Tani, i cili ndodhet emigrant në Greqi. Edhe pse kisha bërë një gabim duke e tradhtuar atë, sërish unë doja ta shpëtoja martesën”, është shprehur dje në Policinë e Elbasanit.

30- vjeçarja ndodhet tashmë pas hekurave e akuzuar për vrasjen e foshnjës së saj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/