Elbasan, 30 prill 2014 –Një 46- vjeçar u ekzekutua në qytetin e Elbasanit, ndërsa kishte duke parkuar makinën e tij. Arben Çeta ishte shpallur person në kërkim nga policia. Ai njihej si person me precedentë penalë, pasi në vitin 1998 kishte vrarë shtetasin Astrit Stambollxhiu, i cili ishte i dashuri i motrës së tij, pasi nuk ishte dakord për lidhjen mes tyre.

Për këtë vepër Çeta u dënua me 20 vite burg, por bëri vetëm 13 vite pasi u lirua nga gjykatat për sjellje të mirë. Në shtator të vitit 2013, ai u arrestua për vjedhje. Pavarësisht kërkesës së prokurorisë, Gjykata e Elbasanit, me gjyqtar Taulant Tafën, vendosi ta lërë atë në detyrim paraqitje, duke argumentuar se ai nuk ishte i rrezikshëm dhe se kishte familje e fëmijë për të rritur. Pas lirimit, në nëntor atij i bëhet një atentat në Labinot, ndërsa ishte duke darkuar.

Prokuroria apeloi vendimin e lirimit dhe në nëntor të vitit të shkuar, Gjykata e Apelit në Durrës vendosi që ta rrëzojë kërkesën për lirimin e tij, duke ndryshuar masën e sigurisë. Por Çeta tashmë ishte në arrati. Policia po e kërkonte, por armiqtë e tij e gjetën më shpejt. Mbrëmjen e së mërkurës 46-vjeçari u qëllua brenda makinës së tij, të cilën sapo e kishte parkuar në një nga zonat më të populluara të qytetit, në lagjen “11 Nëntori”.

Mësohet se dy persona i janë afruar, duke kryer qitje nga afër, e duke e qëlluar Çetën me tre plumba në kokë, çka i ka sjellë atij vdekjen e menjëhershme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/