Spanjë, 30 prill 2014 – Krenar për të vetët, nga i pari tek i fundit. Carlo Ancelotti pasi i përgëzoi të gjithë lojtarët për atë që e pagëzoi si ndeshje perfekte kundër bavarezëve, tha se fitorja e thellë në Mynih që i çon madrilenët në finalen e Championsit ishte mëse e merituar.

“Kur të gjithë punojnë bashkë, cilësia rritet dhe kemi në fund një ndeshje perfekte. Kisha fituar në Mynih më parë dhe kjo më jepte besim. Falë këtij ekipi dhe tifozëve, Reali pas 12 vjetësh luan në finale. Më vjen keq që Xabi Alonso nuk do të jetë në Lisbonë, por rëndësi ka të fitojmë”,-është shprehur tekniku i Real Madrid.

Goleada e Los Blancos që turpëroi Bajernin e Guardiolës në fushën e shtëpisë ka habitur edhe vetë Ancelottin.

“E mendoja fitoren, por e kisha të pamundur ta imagjinoja diçka të tillë. Befasohem gjithnjë e më shumë nga skuadra ime, luajti për klubin dhe tifozerinë madrilene që priste prej kaq vjetësh finalen e Championsit. Ramos është mbrojtësi më i mirë në botë, por për golat ka merita e gjithë skuadra. Jam i kënaqur me të gjithë”,- është shprehur italiani.

Një koment në fund nga Ancelotti për ferrin e paralajmëruar të Mynihut dhe futbollin e Guardiolës.

“Ishim pak të shqetësuar sepse kishim një avantazh minimal, por besimi nuk na mungonte. Nuk besoj se për Bajernin ka ndonjë fund, sepse filozofia e Guardiolës vazhdon dhe ka patur shumë rezultate madje”, -vijoi Ancelotti.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/