Durrës, 27 prill 2014 – Policia ka arrestuar 5 autorët e dyshuar të vrasjes së Aurel Zenkës në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet. Arrestimet u kryen mbrëmjen e të shtunës nga forcat e policisë së Durrësit në bashkëpunim me forcat RENEA.
Në bashkëpunim edhe me RENEA-n, uniformat blu ndërhynë në një banesë në vendin e quajtur Kali i Trojes në Durrës, ku fshihej autori kryesor i vrasjes Agron Goxhaj dhe bashkëpunëtorët e tij. Drejtori i Policisë së Tiranës sqaroi për mediat se vrasja kishte si motiv një borxh të pashlyer.
“Kapja dhe arrestimi i shtetasve Agron Agim Goxhaj, i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë, Artan Fredi Hasani, i dënuar më parë për krime ndaj jetës dhe prodhim e shitje lëndësh eksplozive dhe municionesh luftarake, Enton Sazan Saka, i dënuar më parë për vrasje me paramendim dhe Alket Elmaz Halitaj 43-vjeç lindur dhe banues në Tiranë. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetasin Edison Fetazi i shpallur në kërkim, janë autorë të vrasjes së shtetasit Ariel Zenka. Nga hetimet e kryera dyshohet se motivi i kësaj ngjarjeje ka qenë llogari të pashlyera ndërmjet njëri-tjetrit”, deklaroi Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Ardian Cipa.
Policia ka arrestuar gjithashtu edhe Andi Veshin për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit, si edhe Besnik Mancakun për moskallëzim krimi”. Sipas policisë personat akuzohen për vrasjen me armë zjarri të 38-vjeçarit Aurel Zenka, mbrëmjen e të premtes në zonën e ‘Ali Demit’ në kryeqytet.
Policia bën me dije se të arrestuarit fshiheshin prej 24 orësh në një apartament në zonën e plazhit në qytetin bregdetar të Durrësit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





