Tiranë, 27 prill 2014 – Incidentet e ndodhura së fundi në burgjet greke ishin në fokus së takimit mes presidentit Bujar Nishani dhe kryeparlamentarin grek Evangelos Meimarakis. Presidenca bën me dije se “dy bashkëbiseduesit vunë në dukje se këto incidente, sado serioze, nuk duhet dhe nuk mund të cënojnë marrëdhëniet mes vendeve dhe popujve tanë dhe shprehën besimin e plotë në trajtimin e tyre me objektivitet nga institucionet e vendit fqinj dhe se ata do të japin drejtësi”.
Në takimin e zhvilluar në Presidencë, kryeparlamentari grek tha se marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në qershor, mbetet sfidë prioritare edhe për Presidencën Greke.
Nga ana e tij, Presidenti Nishani tha se Bashkimi Evropian mbetet destinacioni i vetëm për Shqipërinë, një objektiv strategjik që do të arrihet falë rezultateve tona dhe ndihmës së partnerëve tanë, ndër të cilët Greqia zë një vend të rëndësishëm.
Vrasjen e Ilia Karelit e solli në vëmendje edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, gjatë takimit me kryeparlamentarin grek Vangelis Meimarakis. Zyra e shtypit e PD-së bëri të ditur se kreu i opozitës shqiptare vlerësoi vëmendjen e autoriteteve greke ndaj momenteve të veçanta siç ishte rasti fatkeq i Ilia Karelit, dhe shprehu bindjen se drejtësia e vendit fqinj do të bëjë punën e saj për zbardhjen e ngjarjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





