Durrës, 27 prill 2014 – Teuta tregon se është një ekip mjaft i fortë dhe fiton në një ndeshje të vështirë ku mori një fitore morali pasi mundi ekipin që pritet të shpallet kampion, por mori edhe tre pikë mjaft të rëndësishme në ndeshjen e javës së 30-të.

Sulmuesi Samb dhe mbrojtësi Jakupi kanë shënuar në pjesën e dytë të kësaj sfide, duke shtuar tri pikë që afrojnë objektivin Europë për durrsakët.

Trajneri Ilir Biturku nuk e fsheh lumturinë për suksesin e arritur në shtëpi.

“Falënderoj skuadrën për shpirtin e garës. Të dyja pjesët e lojës i kemi kontrolluar, por vazhdojmë të humbasim raste përpara portës. Jam i kënaqur për tre pikët dhe ajo që më bën optimist është fakti se skuadra prodhon lojë. Skuadra ka luajtur mjaft mirë edhe në sfidat që nuk kemi fituar, por kjo ka qenë më shumë edhe çështje fati. Tashmë, të presim gabimet e kundërshtarëve për të përfituar. Personalisht, besoj se do ta arrijmë objektivin”,- tha Biturku.

Në fund, ai bën një falënderim të veçantë edhe për tifozët.

“Skënderbeu është me meritë aty ku është. Skuadra reagoi në mënyrën e duhur dhe falënderoj gjithashtu edhe tifozët që nuk na kanë braktisur”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/