Angli, 25 prill 2014 – Avokatët e Colin Coats dhe Philip Vade (ne foton poshtë), të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e znj. Lynda Spence (ne foton poshtë), u përpoqën në Gjykatën e Apelit të shfajësojnë klientët e tyre. Ata kërkuan, që të hapet dosja e policisë kriminale dhe antidrogë spër Lynda Spence, 27 vjeçe, e cila ishte një spiune sekrete e policisë angleze. Ajo u rrëmbye dhe u torturua deri në vdekje në vitin 2011, pikërisht për shkak të detyrës së fshehtë, që ushtronte. Trupi i saj nuk është gjendur ende sot e kësaj dite.
Avokatët anglezë ngulin këmbë, që klientët e tyre janë të pafajshëm, ndërsa i vetmi që kishte një motiv për ta vrarë Lyndan ishte Sokol Zefaj (ne foton kryesore), 40 vjeç, bashkëshorti i saj nga Shqipëria. Avokatët ngulin këmbë për disa arsye.
Së pari, Linda ishte rekrutuar me material detyrues nga policia angleze pikërisht për të siguruar informata për veprimtarinë e dyshuar si të kundërligjshme të Sokol Zefajt.
Së dyti, Sokoli në vitin 2000 kishte ardhur në Skoci si azilant pa një lek në xhep, ndërsa në vitin 2013 ndër të tjera rezultonte pronar i tre apartamenteve me vlerë 420 000 paund.
Së treti, Aliona Codreanu, ish modele për Revistën Vogue dhe e dashura e Zefit, kishte një marëdhënie lezbike me Lyndën. Ajo kishte shfrytëzuar pikërisht një marrëdhënie të tillë për të zbuluar raportet e Lyndas me policinë, madje edhe numrin e telefonit, që përdorte Linda për të kontaktuar operativin e policisë.
Gjykata e Apelit i lejoi avokatët e të pandehurve Coats dhe Vade të shikonin dokumentat e dosjes së punës së Lindës si informatore e policisë, por vetë të pandehurit nuk lejohen të kenë akses në këtë dosje. Gjyqi vazhdon.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





